Holandë – Sulm me armë zjarri ndaj Ambasadës së Arabisë Saudite në Hagë
Një sulm i armatosur është kryer të enjten herët ndaj Ambasadës së Arabisë Saudite në Hagë, qytet në brigjet perëndimore të Holandës dhe seli e qeverisë dhe parlamentit holandez, por edhe e disa gjykatave kombëtare e ndërkombëtare.
1526639

Sipas mediave holandeze, të paktën 20 të shtëna me armë zjarri kanë shënuar Ambasadën e Arabisë Saudite në Hagë rreth orës 05:30 të mëngjesit me kohën lokale.
Policia e Hagës deklaroi se në fasadën dhe dritaret e Ambasadës mund të shihen të paktën 20 gjurmë plumbash dhe dhjetëra gëzhoja përreth vendngjarjes.
“Agresori nuk është identifikuar ende dhe motivi i sulmit mbetet i panjohur. Një hetim i gjerë mbi incidentin ka filluar”, theksoi policia duke shtuar se sulmi nuk ka shkaktuar viktima apo të plagosur.