“Turqia është ndërgjegjja e gjallë e myslimanëve”

“Turqia përfaqëson botën islame në përballjen me racizmin perëndimor dhe është ndërgjegjja e gjallë e myslimanëve”, tha zëdhënësi i Lëvizjes Palestineze “Xhihadi Islam”, Davud Shihab.

1516097
“Turqia është ndërgjegjja e gjallë e myslimanëve”

Zëdhënësi i Lëvizjes Palestineze “Xhihadi Islam”, Davud Shihab tha në një deklaratë se e kanë pritur me keqardhje shqetësimin që ka ndjerë Bashkimi Evropian (BE) nga deklarata e Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) për presidentin francez, Emmanuel Macron.

Ky qëndrim i BE-së, që mburret me lirinë e mendimit dhe të shprehjes, reflekton standard të dyfishtë. Turqia përfaqëson botën islame në përballjen me racizmin perëndimor dhe ajo është ndërgjegjja e gjallë e myslimanëve, shtoi ai.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell në një postim që kishte bërë në «Twitter» e kishte cilësuar të papranueshme deklaratën e Erdoanit për Macronin.

Botimi në Francë i karikaturave që fyejnë profetin Muhamed dhe deklarata e Presidentit Emmanuel Macron, i cili kishte theksuar se këto karikatura nuk do të pushojnë së botuari, kishin shkaktuar reagime të forta.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan reagoi dukshëm ndaj qëndrimit të Presidentit Macron me deklaratën e mëposhtme, bërë të shtunën në Kayseri, në Turqinë qendrore:

"Macroni ka nevojë për kujdes mendor. Çfarë mund të themi për një kryetar shteti që ka frikë nga liria e besimit, nga liria e adhurimit dhe që sillet në një mënyrë të tillë ndaj miliona njerëzve me besime të ndryshme që jetojnë në vendin e tij?”

Pallati Elize kishte reaguar ndaj deklaratës së presidentit turk, të cilën e kishte konsideruar "të papranueshme" duke tërhequr në Paris për konsultime, ambasadorin francez në Ankara, Hervé Magro.

Shumë vende të botës myslimane vazhdojnë të shprehin reagimet e tyre ndaj deklaratave dhe vendimeve të presidentit francez, duke përfshirë Marokun, Palestinën, Kuvajtin, Pakistanin, Libanin dhe Libinë.

 


Lajme të ngjashme