MPJ britanike: Bota të mos u kthejë shpinën vuajtjeve të arakanasve

Britania e Madhe i bëri thirrje botës që të mos u kthejë shpinën vuajtjeve të arakanasve.

1514034
MPJ britanike: Bota të mos u kthejë shpinën vuajtjeve të arakanasve

Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar theksoi përmes një deklarate të shkruar se 860 mijë arakanas (rohingianë) në qytetin Cox's Bazar të Bangladeshit jetojnë në kushte të vështira pa shanse arsimi dhe pune.

Duke tërhequr vëmendjen se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe fatkeqësitë natyrore e kanë përkeqësuar edhe më tepër gjendjen e refugjatëve në rajon, MPJ britanike bëri me dije se do t'i japë Bangladeshit një ndihmë prej 47,5 milionë sterlinash që të përmirësojë situatën e arakanasve në këtë vend.

Ajo njoftoi edhe se refugjatëve rohingianë do t'iu sigurojnë mbështetje psikologjike, shërbime shëndetësore dhe rehabilitimi krahas furnizimit me ushqime dhe ujë të pijshëm.

Gjithashtu deklarata citon ministrin e Punëve të Jashtme, Dominic Raab, të ketë thënë se azilkërkuesit rohingianë në Cox's Bazar përballen me vështirësi të paimagjinueshme dhe se shumica e këtyre njerëzve janë viktima të dhunës.

Pasi vuri në pah se kanë vendosur sanksione të nevojshme kundër atyre që ushtrojnë dhunë ndaj arakanasve, ministri Raab tërhoqi vëmendjen se paketa e mbështetjes ekonomike që ata kanë përgatiru, do të lehtësojë jetën e refugjatëve në kampe dhe do të ndihmojë Bangladeshin të luftojë pandeminë COVID-19 dhe katastrofat natyrore.

Të përkufizuar nga Kombet e Bashkuara si “populli më i persekutuar në botë”, rohingianët po përballen me sulme gjithnjë e në rritje.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Amnistisë (Amnesty International – AI), më shumë se 750 mijë refugjatë arakanas, shumica e të cilëve gra e fëmijë, u detyruan të largohen nga Mianmari pas vitit 2012.

Ndërsa pas valës së re të sulmeve në vitin 2017, numri i azilkërkues rohingianë të strehuar në Bangladeshin fqinj arriti në mbi 1 milion e 200 mijë.



Lajme të ngjashme