OBSH: Vaksina antiCOVID mund të jetë gati deri në fund të vitit

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se një vaksinë kundër llojit të ri të koronavirusit (COVID-19) mund të jetë gati deri në fund të vitit.

1504515
OBSH: Vaksina antiCOVID mund të jetë gati deri në fund të vitit

Ghebreyesus e bëri këtë vlerësim gjatë sesionit special me temë “Lufta me COVID-19”, i cili u zhvillua të martën në kuadër të Mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të OBSH-së në qytetin Gjenevë të Zvicrës.

“Ne do të kemi nevojë për vaksina (kundër COVID-19) dhe shpresojmë që mund të zotërojmë një vaksinë deri në fund të këtij viti”, tha ai duke shprehur besim për këtë.

Megjithatë shefi i OBSH-së nuk dha hollësi se kur do të fillojë një fushatë vaksinimi në të gjithë botën.

Si në çdo fjalim, Ghebreyesus bëri thirrje për “solidaritet global” dhe u kërkoi udhëheqësve botërorë më shumë vendosmëri politike për të siguruar shpërndarje të barabartë të vaksinave kundër COVID-19 në të gjitha vendet e botës, pas prodhimit të tyre.

Përmes Programit për Qasje Globale në Vaksinat kundër COVID-19 (COVAX), një iniciativë e drejtuar nga OBSH-ja në bashkëpunim me Aleancën Globale për Vaksinat dhe Imunizimin (GAVI) dhe Koalicionin për Inovacion dhe Përgatitje për Epidemi (CEPI), synohet shpërndarja e 2 miliardë dozave të vaksinave deri në fund të vitit 2021.

Nga ana tjetër, OBSH-ja paralajmëroi se “lodhja pandemike” po kërcënon aftësinë e Evropës për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

“Sakrificat e mëdha të bëra nga njerëzit këtu gjatë pandemisë kanë shkaktuar një kosto të jashtëzakonshme, e cila na ka lodhur të gjithëve, pavarësisht se ku jetojmë ose çfarë bëjmë”, tha drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.

“Në rrethana të tilla është e natyrshme të ndihesh apatik dhe i demotivuar, të përjetosh lodhje”, shtoi ai.

Duke cituar të dhëna nga një sondazh i kryer në rajon, zyrtari i OBSH-së vuri në pah se nivelet e lodhjes kishin arritur deri në 60% në disa raste dhe u bëri thirrje vendeve të qëndrojnë në kontakt me komunitetet lokale për të monitoruar përgjigjet e njerëzve ndaj pandemisë dhe nevojave të tyre.

Kluge përmendi veçanërisht festimet virtuale gjatë muajit të ramazanit në shtetet myslimane ose kinematë lëvizëse në disa vende si qasje të reja të suksesshme, të cilat mund t’i ndihmojnë njerëzit të përshtaten me kushtet e reja të krijuara nga pandemia.

COVID-19 po vazhdon të përhapet në të gjithë botën. Mbi 36 milionë infektime janë konfirmuar dhe të paktën 1 milion e 55 mijë njerëz kanë humbur jetën nga ky virus në shkallë globale deri më sot.



Lajme të ngjashme