Iran – Ali Akbar Velayati: Armenia duhet të largohet nga territoret e pushtuara të Azerbajxhanit

Ali Akbar Velayati, këshilltar për marrëdhëniet ndërkombëtare i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, deklaroi se Armenia duhet të largohet nga rajoni azerbajxhanas i Karabakut Malor, të cilin ajo e ka pushtuar.

1503718
Iran – Ali Akbar Velayati: Armenia duhet të largohet nga territoret e pushtuara të Azerbajxhanit

Duke folur për Klubin e Gazetarëve të Rinj (YJC), një agjenci lajmesh e varur nga Korporata e Radiotelevizionit të Iranit (IRIB), Velayati bëri vlerësime rreth tensionit ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë.

“Ne respektojmë parimin e «tërësisë territoriale» të shteteve, e cila buron nga rregullat ndërkombëtare. Si anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ne këmbëngulim në këtë çështje. Sidomos kur dy vende në konflikt janë fqinjët tanë veriorë. Në këtë kontekst, territori i një shteti është nën pushtimin e një vendi tjetër. Plot 7 qytete në jug të Republikës së Azerbajxhanit janë okupuar. Nga OKB-ja janë miratuar 4 rezoluta për këtë çështje. Të gjitha këto kërkojnë që Armenia të largohet nga territoret e pushtuara dhe të tërhiqet në kufijtë e saj ndërkombëtarë”, u shpreh ai.

Velayati potencoi se të gjitha shtetet anëtare të OKB-së duhet t'i nënshtrohen këtyre rezolutave dhe vijoi me këto fjalë: “Ne duam që Armenia t'i kthejë territoret e pushtuara Republikës së Azerbajxhanit. Rreth 1 milion azerbajxhanas u detyruan të braktisin tokat e tyre për shkak të okupimit. Këta njerëz duhet të kthehen në tokat e tyre.”

Këshilltari i liderit suprem iranian për marrëdhëniet ndërkombëtare argumentoi mes të tjerash se rruga e zgjidhjes së problemit ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë është diplomacia.

“Zgjidhja e këtij problemi nuk është ushtarake. Ai duhet të zgjidhet përmes mjeteve politike. Ne jemi kundër nismave ushtarake nga kushdo. Humbësi i kësaj lufte është populli. Sidomos duke marrë parasysh që zonat civile janë bombarduar kohët e fundit. Kjo luftë është kundër interesave të popujve të të dyja vendeve dhe sigurisë së rajonit”, vlerësoi zyrtari i lartë iranian.

Pasi rikujtoi se Irani është fqinj me të dyja këto vende, Ali Akbar Velayati shprehu gatishmërinë e Teheranit për ndërmjetësimin dhe për çdo lloj ndihme në drejtim të vendosjes së paqes ndërmjet dy shteteve fqinje.



Lajme të ngjashme