Jordani – Mbreti Abdullah II pranon dorëheqjen e qeverisë

Mbreti Abdullah II i Jordanisë ka pranuar dorëheqjen e Kryeministrit Omar al-Razzaz, por i ka kërkuar atij të qëndrojë në detyrë përkohësisht derisa të emërohet një kryeministër tjetër dhe të formohet kabineti i ri.

1502452
Jordani – Mbreti Abdullah II pranon dorëheqjen e qeverisë

“Lartmadhëria e tij, Mbreti Abdullah, pranoi të shtunën dorëheqjen e Kabinetit të Omar al-Razzaz dhe ia besoi atë të vazhdojë si qeveri e përkohshme derisa të emërohet një kryeministër tjetër dhe të formohet një kabinet i ri”, thuhet në deklaratën e Oborrit Mbretëror.

Me dekretin që lëshoi më 27 shtator, Abdullahu II i Jordanisë njoftoi shpërndarjen e Dhomës së Përfaqësuesve në përputhje me paragrafin e dytë të nenit 32 të Kushtetutës.

Ai lëshoi dy dekrete të tjera në të njëjtën ditë, i pari për shpërndarjen e Senatit dhe i dyti për rikonstituimin e tij nën presidencën e ish-kryeministrit Faisal Akef al-Fayez.

Sipas paragrafit të dytë të nenit 74 të Kushtetutës së Jordanisë, pas këtij dekreti të lëshuar nga Mbreti Abdullah, qeveria duhet të lërë detyrën brenda një jave.

Më 29 korrik, monarku jordanez kishte vendosur mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në vend. Pas kësaj, Komisioni i Pavarur i Zgjedhjeve kishte caktuar datën 10 nëntor për zgjedhjet parlamentare.



Lajme të ngjashme