OKB: Izraeli ka prishur mbi 500 godina të palestinezëve gjatë vitit 2020

Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi të hënën se Izraeli ka prishur më shumë se 500 shtëpi dhe objekte të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor të pushtuar që nga fillimi i vitit 2020.

1498897
OKB: Izraeli ka prishur mbi 500 godina të palestinezëve gjatë vitit 2020

Sipas një raporti të hartuar nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), forcat izraelite të sigurisë kanë prishur 506 banesa dhe struktura të tjera palestineze në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor me arsyetimin se ato ishin ndërtuar “pa leje”.

Raporti nënvizon se Izraeli ka prishur 22 shtëpi dhe objekte të palestinezëve vetëm në dy javët e fundit dhe se 134 prej 506 banesave dhe struktura të tjera të rrafshuara këtë vit janë në Jerusalemin Lindor.

Në këtë raport, ku vihet në pah se shtëpitë e palestinezëve po përballen me kërcënimin e rrënimit, theksohet se Izraeli ka marrë nga pronarët palestinezë edhe kostot e prishjes së shtëpive ka rrëzuar me pretendimin se ato ishin ndërtime “pa leje”.

Jamie McGoldrick, koordinator për Palestinën në OCHA, tërhoqi vëmendjen përmes një deklarate me shkrim më 10 shtator se Izraeli ka përshpejtuar prishjen e ndërtesave palestineze, një aktivitet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, gjatë pandemisë së llojit të ri të koronavirusit (COVID-19).

Duke potencuar se dëmtimi i pasurisë së njerëzve në zonat e okupuara është shkelje e të drejtave ndërkombëtare të njeriut, McGoldrick tha se përshpejtimi i këtyre shkatërrimeve gjatë pandemisë ka ngjallur shqetësim.

Raporti në fjalë nënvizon gjithashtu se krahas dëmtimit të provave dhe prishjes së banesave të palestinezëve, autoritetet izraelite kanë përshpejtuar edhe aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve ilegale çifute në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor të okupuar.



Lajme të ngjashme