Vazhdon përshkallëzimi i tensioneve SHBA-Kinë, përplasje verbale në OKB për COVID-19

Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua pandemia e llojit të ri të koronavirusit dhe procesi i shërimit pas sëmundjes, u bë skenë e përplasjeve verbale ndërmjet SHBA-së dhe Kinës.

1497329
Vazhdon përshkallëzimi i tensioneve SHBA-Kinë, përplasje verbale në OKB për COVID-19

Kelly Craft, përfaqësuese e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, mbajti një fjalim në shenjë reagimi pas kritikave të kryediplomatit kinez dhe atij rus kundër vendit të saj.

“T'ju vijë turp të gjithëve. Mu pështiros nga përmbajtja e mbledhjes së sotme dhe më vjen turp nga ky këshill. Turp për secilin prej anëtarëve të këshillit, të cilët përqendrohen tek inatet politike në vend të çështjeve kritike përpara nesh”, deklaroi ajo.

Ambasadorja amerikane në OKB theksoi se Kina, e cila – sipas saj – nuk është aspak transparente në lidhje me pandeminë, duhet të mbajë përgjegjësi si burim i COVID-19.

Craft potencoi se SHBA-ja do të bëjë gjënë e duhur edhe nëse s'është popullore apo e miratuar.

“Veprimet e Partisë Komuniste Kineze provojnë se jo të gjitha vendet anëtare janë të përkushtuara në mënyrë të barabartë për shëndetin publik, transparencën dhe detyrimet e tyre ndërkombëtare”, vlerësoi ajo duke shtuar se ky fakt duhet të shqetësojë thellë të gjitha vendet e përgjegjshme të botës, të cilat po punojnë me mirëbesim për të mposhtur koronavirusin e ri dhe për të parandaluar pandemitë në të ardhmen.

E menjëhershme ishte edhe kundërpërgjigja e përfaqësuesit të përhershëm të Kinës në OKB, Zhang Jun. Ai e akuzoi SHBA-në për përhapje të viruseve politike e ndotjes së informacionit dhe krijim të konfliktit e përçarjes.

“Mjaft më, ju tashmë keni krijuar mjaft probleme për botën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të kuptojnë se dështimi i tyre në trajtimin e COVID-19 është plotësisht faji i tyre. Ndërkohë që ka teknologjitë mjekësore më të përparuara në botë, përse shumica e rasteve dhe vdekjeve është në SHBA? Ndoshta politikanët amerikanë duhet t'u përgjigjen këtyre pyetjeve me sinqeritet përpara se të fajësojnë të tjerët. Nëse ndokush duhet të mbajë përgjegjësi, ata janë disa politikanë amerikanë. SHBA-ja tani qëndron para bashkësisë ndërkombëtare dhe është krejtësisht e vetme. Zgjohuni tani”, u shpreh ambasadori kinez në OKB.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, vuri në pah se pandemia është jashtë kontrollit për shkak të mungesës së gatishmërisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit global.

“Kam frikë se më e keqja do të ndodhë nëse bota u qaset katastrofave më të mëdha dhe sidomos ndryshimit të klimës me të njëjtat divergjenca dhe kaos”, tha shefi i OKB-së mes të tjerash.

Përshkallëzimi i tensioneve ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit vijoi dukshëm këtë javë gjatë fjalimeve të liderëve përkatës në sesionin 75. të Asamblesë së Përgjithshme dhe aktiviteteve të tjera të OKB-së.

Të martën, President Donald Trump i SHBA-së tha gjatë fjalës së tij drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Pekini duhet të mbajë përgjegjësi për faktin që bëri bllokimin (e qyteteve) në ditët e para të virusit, por lejoi që udhëtimet ajrore nga Kina të vazhdonin dhe të infektonin botën.

Pekinin e vuri në shënjestër gjithashtu këtë javë sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, duke thënë se Uashingtoni është duke përcaktuar nëse do ta etiketojë shtypjen e myslimanëve ujgurë nga autoritetet kineze si “krime kundër njerëzimit” apo si “gjenocid”. Këto terma kanë peshë të madhe në të drejtën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërshtetërore.

Kurse Presidenti Xi Jinping i Kinës, në komentet drejtuar SHBA-së, dënoi përpjekjet e saj për politizimin ose stigmatizimin e virusit.



Lajme të ngjashme