Lëvizjet palestineze Fatah dhe Hamas pajtohen të mbajnë zgjedhjet së shpejti

Grupet rivale palestineze Fatah dhe Hamas ranë dakord të enjten gjatë bisedimeve në Turqi për të mbajtur zgjedhjet “së shpejti”.

1496786
Lëvizjet palestineze Fatah dhe Hamas pajtohen të mbajnë zgjedhjet së shpejti

Në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Anadolli (AA), Azzam al-Ahmad, një anëtar i Komitetit Qendror të Fatahut, deklaroi se “është rënë dakord që të mbahen zgjedhjet legjislative, pasuar nga zgjedhje presidenciale dhe në vijim zgjedhjet për Këshillin Kombëtar”, duke iu referuar parlamentit të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP).

Zyrtari i Fatahut theksoi se fotografia e plotë e konkluzioneve të bisedimeve do t'i përcillet Presidentit të Palestinës, Mahmoud Abbas, i cili më pas do të lëshojë dekretet e nevojshme për zbatimin e tyre.

Azzam al-Ahmad nënvizoi gjithashtu pozicionin e deklaruar të udhëheqjes palestineze se as Jerusalemi dhe as Rripi i Gazës nuk duhet të përjashtohen nga zgjedhjet.

“Pa Jerusalemin, nuk do të ketë zgjedhje”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, asnjë vlerësim i menjëhershëm nga Hamasi nuk është bërë ende në lidhje me rezultatet e bisedimeve në Stamboll.

Më herët të enjten, një anëtar i lartë i Fatahut palestinez i quajti bisedimet e vazhdueshme në Turqi me Hamasin si “pozitive, të frytshme dhe produktive”.

Hussein al-Sheikh, një anëtar i Komitetit Qendror të Fatahut, shkroi në rrjetin social “Twitter” se “dialogu është një hap i rëndësishëm drejt pajtimit, partneritetit dhe unifikimit të qëndrimit palestinez në dritën e konsensusit për refuzimin e të gjitha projekteve që synojnë të likuidojnë kauzën palestineze”.

Kurse Munir al-Jaghoub, shef i Zyrës së Informacionit të Fatahut, deklaroi për AA-në se një delegacion i lartë i kësaj lëvizjeje do të vizitojë kryeqytetet Doha të Katarit dhe Kajro të Egjiptit.

Al-Jaghoub shtoi se delegacioni do të diskutojë me liderët e dy vendeve në fjalë disa çështje të rëndësishme duke përfshirë pajtimin palestinez, marrëveshjet e fundit të normalizimit ndërmjet shteteve të Gjirit dhe Izraelit, si dhe zhvillime të tjera politike.

Dy fraksionet politike në fjalë, palët më të rëndësishme të përçarjes palestineze që kur Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës pas përleshjeve disaditore në mesin e vitit 2007, po zhvillojnë bisedime në Stamboll që prej të martës (22 shtator 2020).

Në bisedimet ndërmjet delegacioneve deri më sot u morën në shqyrtim gjendja e pajtimit të palëve dhe çështje lidhur me organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme.

Sipas kushtetutës palestineze, zgjedhjet duhet të mbahen 1 herë në 4 vjet, por zgjedhjet në këtë vend nuk janë mbajtur dot që prej vitit 2006 për shkak të pushtimit dhe bllokadës nga Izraeli.



Lajme të ngjashme