Palestina reagon ndaj normalizimit me Izraelin, heq dorë nga presidenca e radhës së Ligës Arabe

Ministri i Punëve të Jashtme të Palestinës, Riyad al-Maliki, deklaroi të martën se vendi i tij ka vendosur të heqë dorë nga presidenca e radhës së Ligës Arabe në shenjë reagimi ndaj normalizimit të vendeve të Gjirit me Izraelin.

1495463
Palestina reagon ndaj normalizimit me Izraelin, heq dorë nga presidenca e radhës së Ligës Arabe

Në një konferencë për shtyp nga Ministria në qytetin Ramallah të Bregun Perëndimor të pushtuar, Al-Maliki tha se kanë hequr dorë nga presidenca e radhës së Ligës Arabe pasi Sekretariati i Përgjithshëm i Ligës ka mbështetur Emiratet e Bashkuar Arabe (EBA) dhe Bahrejnin, shtete të cilat normalizuan marrëdhëniet me Izraelin.

Ai theksoi se disa vende të fuqishme arabe nuk e dënuan largimin nga Iniciativa Arabe e Paqes dhe nuk do të ketë një vendim për dënim brenda një procesi të parashikueshëm.

“Nuk është nder për ne të shohim vendet arabe që nxitojnë të normalizohen me shtetin okupues gjatë presidencës sonë të radhës”, tha Al-Maliki.

Kryediplomati palestinez vuri në pah më tej se nuk bëhet fjalë për tërheqje nga Liga, dhe se do të vazhdojnë punimet e tyre me vende si Algjeria dhe Kuvajti, të cilat e kanë mohuar normalizimin.

Në takimin e 9 shtatorit me telekonferencë, ministra e Punëve të Jashtme të Ligës Arabe nuk morën një vendim që dënon “normalizimin e marrëveshjeve” me Izraelin.

Sipas diplomatëve palestinezë, “shtetet e fuqishme arabe me ndikim” penguan marrjen e një vendimi për dënimin e vendeve arabe të Gjirit, të cilat normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në kundërshtim me Iniciativën Arabe të Paqes.

Më 15 shtator, Emirat e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahrejni nënshkruan marrëveshje të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.

EBA dhe Bahrejni u bënë respektivisht vendi i tretë dhe i katërt arab që arritën marrëveshje normalizimi me Izraelin, pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë më 1994-n.

Në vitin 2002, shtetet anëtare të Ligës Arabe, në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, kishin miratuar deklaratën e Iniciativës Arabe të Paqes, e cila përcaktonte mohimin e normalizimit me Izraelin derisa ky i fundit të njihte shtetin e pavarur palestinez me kryeqytet Jerusalemin Lindor dhe me kufijtë e vitit 1967.



Lajme të ngjashme