Volkan Bozkir: OKB-ja duhet të adaptohet me ndryshimet

Presidenti i sesionit 75. të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Volkan Bozkir, deklaroi të hënën se organizata duhet të adaptohet me ndryshimet për të vazhduar t'i shërbejë qëllimit të saj të themelimit.

1494753
Volkan Bozkir: OKB-ja duhet të adaptohet me ndryshimet

Gjatë fjalës së rastit në aktivitetin e nivelit të lartë, organizuar në kuadër të 74-vjetorit të OKB-së, Volkan Bozkir tha se angazhimi i shteteve anëtare të organizatës në bashkëpunimin shumëpalësh është arsyeja më e rëndësishme që mban në këmbë OKB-në sot.

Ai vuri në pah se kur Kombet e Bashkuara u themeluan 75 vjet më parë, njerëzimi ishte nën efektet shkatërruese të Luftës II Botërore dhe lufta që shkaktoi vdekjen e numrit më të madh të njerëzve në luftërat përgjatë historisë, zbuloi qartë nevojën për këtë organizatë.

Pasi shpjegoi se themeluesit e OKB-së kanë identifikuar paqen dhe sigurinë, zhvillimin dhe të drejtat e njeriut si tri shtyllat bazë të organizatës dhe se kur njëra prej tyre mungon, përparimi nuk mund të arrihet në të tjerat; diplomati turk vijoi me këto fjalë: “Kështu, Organizata Kombet e Bashkuara, me kontributet e ju vendeve anëtare, është përpjekur ta arrijnë këtë në 75 vitet e fundit. Ne kurrë s'duhet t'i injorojmë sukseset e shënuara gjatë kësaj periudhe.”

Bozkir tha se e sheh multilateralizmin si një domosdoshmëri dhe jo si një opsion në këtë periudhë përpjekjesh për të ndërtuar një botë më të mirë, më të gjelbër, më të barabartë, më të fortë dhe më të qëndrueshme.

“Kombet e Bashkuara duhet të jenë padyshim në qendër të aktiviteteve tona për këtë. Që nga themelimi i OKB-së e deri më sot, bota jonë ka ndryshuar në një shkallë të paimagjinueshme asokohe. Organizata duhet të adaptohet me të gjitha këto ndryshime për të vazhduar t'i shërbejë qëllimit të saj të themelimit”, vlerësoi ai.

Sipas tij, OKB-ja duhet të mbështetet për t'u shndërruar në një organizatë më efektive dhe më të përgjegjshme, e aftë t'u përgjigjet më shpejt nevojave, në mënyrë që të përmbushë më mirë pritjet dhe misionin e saj në ndërtimin e ardhmërisë së ëndërruar nga i gjithë njerëzimi.

Volkan Bozkir gjithashtu u bëri thirrje shteteve anëtare të OKB-së që të mobilizojnë burimet e tyre për të arritur të ardhmen e dëshiruar.



Lajme të ngjashme