Palestina përshëndet qëndrimin e Katarit dhe Algjerisë kundër normalizimit me Izraelin

Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP) përshëndeti Katarin për konfirmimin e angazhimit të tij për t'i dhënë fund pushtimit izraelit.

1494534
Palestina përshëndet qëndrimin e Katarit dhe Algjerisë kundër normalizimit me Izraelin

“Ne përshëndesim shtetin vëllazëror të Katarit për konfirmimin e qëndrimit të tij (lidhur me kauzën palestineze)”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OÇP-së, Saeb Erekat, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”.

Bashkëngjitur mesazhit të tij, Erekat ripostoi në “Twitter” edhe këtë deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit: “Ne konfirmojmë pozicionin tonë të vendosur për t'i dhënë fund pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli dhe për krijimin e Shtetit të Palestinës me kryeqytet Jerusalemin. Katari nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të siguruar të gjithë mbështetjen e mundshme për të lehtësuar vuajtjet e vëllezërve palestinezë derisa populli palestinez të kenë të gjitha të drejtat legjitime.”

Nga ana tjetër, Lëvizja e Hamasit gjithashtu përshëndeti deklaratat e Presidentit të Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, në lidhje me qëndrimin kundër normalizimit me Izraelin.

“Lëvizja e Hamasit përshëndet deklaratat e presidentit algjerian kundër normalizimit me pushtimin dhe në mbështetje të kauzës palestineze”, shkroi në “Twitter” zëdhënësi i Hamasit, Sami Abu Zouhri, duke i cilësuar ato si “një shprehje e qëndrimit fisnik të Algjerisë ndaj kauzës palestineze”.

Presidenti Tebboune i Algjerisë u shpreh me këto fjalë në një dalje publike të dielën: “Po shoh një lloj furie normalizimi. Ne s'do të bëhemi pjesë e saj dhe nuk do të festojmë. Çështja e Palestinës do të vazhdojë të jetë një kauzë e shenjtë për ne dhe për të gjithë algjerianët.”

Më datë 15 shtator, përmes një ceremonie të organizuar në Shtëpinë e Bardhë, Izraeli nënshkroi marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahrejnin.



Lajme të ngjashme