Dokumentohet përgjegjësia e EBA-së në masakrën ndaj akademisë ushtarake në Libi

Është zbuluar se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë përgjegjësi në sulmin e 4 janarit 2020 me mjet ajror të telekomanduar ndaj Akademisë Ushtarake Hadba në jug të kryeqytetit Tripoli të Libisë dhe me pasojë vdekjen e 26 kadetëve.

1480986
Dokumentohet përgjegjësia e EBA-së në masakrën ndaj akademisë ushtarake në Libi

 

Korporata Britanike e Transmetimeve (BBC) ka hedhur dritë mbi këtë sulm, i cili la të vdekur dhjetëra kadetë të paarmatosur, duke analizuar dronin dhe armët e përdorura, si dhe fotografitë satelitore.

Hulumtimi i pjesëve të shrapnelit nga raketa e përdorur në sulm nxori në dritë se ato i përkisnin një rakete “Blue Arrow 7”, prodhim kinez.

Rrjedhimisht u arrit në konkluzionin se raketa “Blue Arrow” mund të lëshohet vetëm nga droni kinez “Wing Loong” dhe, pas studimit të realizuar mbi imazhet satelitore të atyre datave, u pa që ky mjet ajror i telekomanduar ishte i pozicionuar në Bazën Ushtarake Ajrore Al-Khadim të kontrolluar nga EBA-ja, në afërsi të Bengazit.

Në këtë hulumtim, ku u inspektuan gjithashtu mjetet e tjera ajrore, sistemet e mbrojtjes dhe llojet e inventarit në këtë bazë, duke u bazuar në të dhëna me burim të hapur, u konstatua se EBA-ja është i vetmi shtet me këtë inventar në mesin e aktorëve të përfshirë në konfliktin libian.

Kurse disa fotografi satelitore të tjera, të cilat ishin objekt i hulumtimit të BBC-së, zbuluan se sistemet e dronëve “Wing Loong” në Bazën Ajrore Al-Khadim janë transferuar një muaj pas sulmit dhe janë dislokuar në Bazën Ajrore Siwa, pranë kufirit të Egjiptit me Libinë.

BBC-ja tërheq vëmendjen edhe se mbështetja e Egjiptit, “aktor sekret”, për Emiratet e Bashkuara Arabe në konfliktin libian, nuk kufizohet vetëm me këtë, pasi është parë që avionët “Mirage 2009” të Forcave Ajrore të EBA-së ishin vendosur në Sidi Barrani, një tjetër bazë ajrore afër kufirit libian të Egjiptit.

Duke iu referuar gjithashtu një raporti të Kombeve të Bashkuara, i cili hetoi sulmin në qendrën për emigrantë të parregullt në lindje të kryeqytetit Tripoli të Libisë, natën e 2 korrikut 2019, me pasojë vdekjen e 53 emigrantëve duke përfshirë 6 fëmijë, hulumtimi rikujtoi se në këtë masakër janë përdorur aeroplanët “Mirage 2009”.

Pasi tërheq vëmendjen edhe mbi praninë e avionëve të ngarkesave “Ilyuşin-76” të dislokuar në Sidi Barrani në data të ndryshme, u vërejt se këta aeroplanë janë ngritur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kanë mbërritur në këtë bazë, sipas analizës së gjurmimit të radarëve ajrorë.

Transmetuesi britanik thekson se administratave të EBA-së dhe Egjiptit u është kërkuar të shprehin opinionet e tyre për gjetjet e këtij hulumtimi, por këto vende nuk janë përgjigjur.



Lajme të ngjashme