Zelandë e Re – Burgim i përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht për terroristin Brenton Tarrant

Terroristi Brenton Tarrant, autor i sulmit të vitit 2019 me pasojë 51 të vrarë dhe 49 të plagosur në dy xhamitë e qytetit Christchurch të Zelandës së Re, u dënua me burgim të përjetshëm.

1480174
Zelandë e Re – Burgim i përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht për terroristin Brenton Tarrant

 

Gjykatësi Cameron Mander, i cili shqiptoi dënimin në seancën përmbyllëse të gjyqit kundër supremacistit të bardhë australian në Gjykatën e Lartë të Christchurch, deklaroi se terroristi Tarrant u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht, një vendim i paprecedent ky në Zelandën e Re, duke u shpallur fajtor për vepra penale të tilla si 51 vrasje, 40 vrasje në tentativë dhe 1 sulm terrorist.

“Krimet e tua janë kaq të liga, saqë kjo nuk do të shterojë kërkesat e dënimit edhe nëse ndaloheni derisa të vdisni”, tha gjykatësi Mander pasi shqiptoi dënimin.

Në seancën e ditës së mërkurë, terroristi 29-vjeçar refuzoi të lexojë mbrojtjen e tij dhe kjo u bë përmes një avokati.

Brenton Tarrant, të cilit Gjykata e Lartë e Christchurch i njohu të drejtën për t'u vetëmbrojtur më datë 13 korrik, i pranoi të gjitha akuzat kundër tij.

Pas gjyqit 4-ditor, drejtësia e Zelandës së Re përmbushi të gjitha pritjet e shoqërisë civile për dënimin e ekstremistit të djathtë me burgim të përjetshëm për terrorizëm dhe vrasje të paramenduar e planifikuar.

Më 15 mars 2019, Tarrant sulmoi me armë automatike xhamitë “Al-Noor” dhe “Linwood” të qytetit Christchurch ndërsa besimtarët myslimanë po dilnin nga namazi i xhumasë. Në këtë sulm terrorist humbën jetën 51 persona – 1 turk dhe u plagosën 49 të tjerë – 2 turq.

Vendimi kundër terroristit Brenton Tarrant është dënimi më i rëndë historik në Zelandën e Re.

Dënimi me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht u prit me kënaqësi nga të afërmit e dëshmorëve, nga të mbijetuarit dhe gjithë shoqëria zelandeze.

Me kënaqësi e priti këtë vendim Kryeministrja Jacinda Ardern gjithashtu, e cila tha se drejtësia u vendos.

“Ky ishte një krim i paprecedent në Zelandën e Re deri më sot. Prandaj edhe u vendos një dënim i paparë ndonjëherë”, u shpreh ajo.

“Tani jam e qetë shpirtërisht, pasi ai nuk do të shohë më dritë me sy”, shtoi Kryeministrja Ardern për dënimin e supremacistit të bardhë australian me burgim të përjetshëm.

Ndërsa Winston Peters, ministër i Punëve të Jashtme dhe lider i Partisë Zelanda e Re e Para (NZ First), nënvizoi se myslimanët në vend kanë vuajtur mjaftueshëm dhe se forca politike e tij mendon që ky terrorist duhet të dërgohet në shtetin që e ka “edukuar”.

Pas kësaj deklarate të shefit të diplomacisë zelandeze, Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, tha nga kryeqyteti Kanberrë se qeveria e tij nuk ka bërë asnjë kërkesë për riatdhesimin në vendlindje të terroristit që mbron supremacinë e racës së bardhë.



Lajme të ngjashme