Eksperti amerikan sfidon dokumentet armene për ngjarjet e vitit 1915: Fabrikime!

Michael Gunter, profesor i sociologjisë dhe shkencave politike në Universitetin Teknologjik të Tenesisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka theksuar se nuk ka asnjë dokument që provon se vrasja e armenëve ishte politikë zyrtare e Shtetit Osman.

1476448
Eksperti amerikan sfidon dokumentet armene për ngjarjet e vitit 1915: Fabrikime!

 

Dr. Gunter është shprehur se “dokumentet e famshme të publikuara në vitin 1919 nga autori armen, Aram Andonian, të cilat janë paraqitur me pretendimin se provojnë masakrat e qëllimshme, janë fabrikime”.

Në një intervistë për Fondacionin Turko-Amerikan të Sigurisë (TASFO) me seli në Nju-Jork, Gunter ka bërë vlerësime lidhur me pretendimet armene.

Profesori amerikan, i cili kryen hulumtime rreth ngjarjeve të 1915-s, tha se pretendimet armene diskutohen më shumë për shkak se armenët e krishterë kanë fituar më shumë simpati në perëndimin e krishterë.

“Gjithashtu turqit myslimanë ishin armiq historikë të perëndimit. Armenët i kanë përcjellë më mirë mesazhet e tyre në perëndim për shkak se edhe flisnin më mirë sesa turqit gjuhët perëndimore”, tha Gunter.

“Përherë shpresohet që mund të fillohet një dialog akademik mes mbrojtësve të tezave turke dhe armene në SHBA”, shtoi Gunter.

Ai tërhoqi vëmendjen se turko-amerikanët do të jenë të gatshëm për ta bërë këtë, por armeno-amerikanët s'kanë kurrë dëshirë ta bëjnë këtë.

“Nuk ka asnjë dokument që provon se vrasja e armenëve ishte politikë zyrtare e Shtetit Osman. Për shembull, dokumentet e famshme të publikuara në vitin 1919 nga autori armen, Aram Andonian, të cilat janë paraqitur me pretendimin se provojnë masakrat e qëllimshme, janë fabrikime”, theksoi profesori amerikan.

Gunter vuri në pah se shumë armenë në pjesët perëndimore të Perandorisë Osmane nuk ishin dëbuar, ndërsa tërhoqi vëmendjen se disa armenë kishin vrarë myslimanë të pafajshëm për dekada pa ndërprerje.

“Që gjenocidi të ekzistojë ligjërisht në të drejtën ndërkombëtare, duhet të provohet planifikimi ose paramendimi dhe këto nuk janë provuar në lidhje me këtë çështje”, saktësoi ai.

- Qëndrimi turk për ngjarjet e vitit 1915

Qëndrimi i Turqisë për ngjarjet e vitit 1915 është se vdekja e armenëve në Anadollin Lindor ndodhi kur disa prej tyre u rreshtuan në krah të rusëve pushtues dhe u rebeluan kundër forcave osmane. Një zhvendosje e mëvonshme e armenëve rezultoi në viktima të shumta.

Turqia kundërshton paraqitjen e këtyre incidenteve si “gjenocid” duke i përshkruar ato si një tragjedi, në të cilën të dy palët pësuan viktima.

Ankaraja ka propozuar në mënyrë të përsëritur krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh nga Turqia dhe Armenia, si dhe ekspertë ndërkombëtarë, për të zgjidhur këtë çështje.

- TASFO "12 intervista në 12 muaj"

TASFO, një OJQ që lufton me pretendimet armene, ka filluar me këtë qëllim projektin “12 intervista në 12 muaj”. Në këtë kontekst po realizon një sërë intervistash me historianë të famshëm perëndimorë, politologë, akademikë dhe intelektualë që kanë kontribuar me kërkime të rëndësishme lidhur me ngjarjet e 1915-s.

Më parë, TASFO ka bërë intervista me historianin irlandez, dr. Patrick Walsh dhe politologun gjerman, dr. Christian Johannes Henrich. Ndërsa intervistën e tretë e ka realizuar me politologun amerikan, dr. Michael Gunter. / AA



Lajme të ngjashme