Sudan – Shkarkohet zëdhënësi i MPJ pas deklaratës mbi normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin

Sudani ka shkarkuar zëdhënësin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Haidar Badawi, për deklaratën e tij të fundit rreth normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.

1475662
Sudan – Shkarkohet zëdhënësi i MPJ pas deklaratës mbi normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin

 

“Mora një njoftim për shkarkimin tim nga detyra”, i tha Haidar Badawi Agjencisë Anadolli (AA).

Ish-diplomati konfirmoi vërtetësinë e një mesazhi nga ai për Presidentin e Këshillit Sovran të Sudanit, Abdel-Fattah al-Burhan dhe Kryeministrin Abdulla Hamdok.

“Unë u them të dyve, Presidentit al-Burhan dhe Kryeministrit Hamdok, respektoni popullin tuaj dhe njoftojeni se çfarë po ndodh në fshehtësi lidhur me marrëdhëniet me Izraelin; thuhet në mesazhin e tij, siç është publikuar nga media sudaneze.

Të martën, Badawi tha se Hartumi ishte duke pritur përmbylljen e një marrëveshjeje paqeje me Izraelin.

“Nuk ka asnjë arsye për të vazhduar armiqësinë midis Sudanit dhe Izraelit. Normalizimi ynë me Izraelin do të jetë ndryshe dhe unik, s'do t'u ngjajë vendeve të tjera”, shtoi ai.

Por Ministria e Jashtme sudaneze i hodhi poshtë fjalët e zëdhënësit të saj duke thënë se ishte e “befasuar” nga kjo deklaratë.

“Çështja e marrëdhënieve me Izraelin nuk është diskutuar në ministri në asnjë formë”, tha ajo në një komunikatë.

Sudani nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin.

Zhvillimi vjen pas një marrëveshjeje të diskutueshme së fundmi ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale, përfshi këtu hapjen e ambasadave në territoret e njëri-tjetrit.

Kjo marrëveshje është traktati i tretë i paqes izraelito-arab në Lindjen e Mesme dhe i pari që përfshin një shtet të Gjirit.



Lajme të ngjashme