Mali – Presidenti Keita njofton dorëheqjen, puçistët zotohen për zgjedhje “të besueshme”

Presidenti i Malit, Ibrahim Boubacar Keita, i ndaluar nga drejtuesit ushtarakë të tentativës për grusht shteti, njoftoi dorëheqjen nga posti i tij.

1475643
Mali – Presidenti Keita njofton dorëheqjen, puçistët zotohen për zgjedhje “të besueshme”
mali.jpg

 

I arrestuar në rezidencën e tij gjatë mbrëmjes së të martës nga një grup ushtarësh dhe i dërguar në garnizonin Kati, rreth 15 km larg kryeqytetit Bamako, Keita mbajti një fjalim të shkurtër nga televizioni shtetëror.

Duke pohuar dështimin e tij në përpjekjen për të reformuar dhe rregulluar ushtrinë, Keita u shpreh i penduar edhe për humbjet e jetëve gjatë protestave të 10-12 korrikut.

“Nuk dua të derdhet gjak që unë të rri në pushtet. Dua të falënderoj popullin e Malit për mbështetjen dhe ngrohtësinë që më ka ofruar përgjatë gjithë këtyre viteve”, tha ai duke njoftuar dorëheqjen e tij, shpërndarjen e Parlamentit dhe qeverisë.

Përpjekja e grushtit të shtetit filloi mëngjesin e së martës brenda një baze ushtarake kryesore, rreth 15 kilometra nga Bamakoja.

Ushtria është ndarë në dy grupe. Krahas ushtarakëve të rebeluar, ka edhe oficerë që veprojnë me urdhër të Keitas.

Kryetari i Parlamentit – Moussa Timbine, ministri i Ekonomisë dhe Financave – Abdoulaye Daffe dhe ministri i Punëve të Jashtme – Tieble Drame, janë ndaluar gjithashtu nga puçistët.

Nga ana tjetër, drejtuesit e grushtit ushtarak në Mali u zotuan për mbajtjen e zgjedhjeve “të besueshme” gjatë një deklarate në televizionin kombëtar.

Udhëheqësit e puçit, të cilët detyruan Presidentin Ibrahim Boubacar Keita të japë dorëheqjen, njoftuan gjithashtu formimin e një Komiteti Kombëtar për Shpëtimin e Popullit (CNSP) për të mbikëqyrur një tranzicion politik.

Sipas një komunikate të lexuar nga koloneli Ismael Wague, zëdhënës i CNSP-së, komiteti pohoi qëllimin e tij për të mundësuar një tranzicion politik civil që do të çojë vendin në zgjedhje me një “vonesë të arsyeshme”.

Ai bëri me dije edhe qëllimin për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Wague theksoi po ashtu se të gjithë kufijtë e vendit janë mbyllur dhe ka filluar zbatimi i shtetrrethimit nga ora 21:00 deri në 05:00 sipas kohës lokale.

Mali është tronditur prej disa muajsh nga protestat që kërkojnë dorëheqjen e presidentit.

Protestat kundër Keitas shpërthyen në maj të këtij viti pasi Gjykata Kushtetuese e Malit shpalli fitoren e 31 deputetëve të pazgjedhur sipas rezultateve jopërfundimtare të zgjedhjeve me dy raunde në muajt mars dhe prill.

Në protestat e 10-12 korrikut, demonstruesit okupuan radiotelevizionin kombëtar dhe rrugët kryesore të kryeqytetit, ndërkohë që 11 veta humbën jetën dhe të paktën 124 të tjerë u plagosën në incidente të ndryshme.

Asokohe, Keita shpërndau Gjykatën Kushtetuese për të ulur tensionin në vend.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të presidentit dhe anëtarëve të kabinetit të tij.

“Sekretari i përgjithshëm po përcjell me shqetësim të thellë zhvillimet në Mali, përfshi këtu edhe rebelimin ushtarak që arriti kulmin me arrestimin e Presidentit Ibrahim Boubacar Keita dhe anëtarëve të qeverisë së tij”, tha në një deklaratë Stephane Dujarric, zëdhënës i shefit të OKB-së.

Kurse disa çaste përpara deklaratës së kolonelit Wague, Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) dënoi fuqimisht grushtin e shtetit në Mali dhe vendosi të mbyllë kufijtë e tij tokësorë dhe ajrorë, si dhe të pezullojë të gjitha aktivitetet ekonomiko-tregtare me këtë vend.

Parlamenti Panafrikan (PAP) po ashtu e dënoi me forcë grushtshtetin në Mali duke theksuar se kundërshton çdo përpjekje për ndryshimin e qeverisë me metoda antikushtetuese.



Lajme të ngjashme