Liban – Rritet në 171 numri i viktimave nga shpërthimi në Bejrut

Ministri në largim i Shëndetësisë së Libanit, Hassan Hamad, njoftoi të martën se numri i të vdekurve nga shpërthimi i 4 gushtit në portin e Bejrutit është rritur në 171.

1471122
Liban – Rritet në 171 numri i viktimave nga shpërthimi në Bejrut

 

Duke folur pas takimit të tij me zyrtarin e urgjencës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Rick Brennan, Hamad u tha gazetarëve se “numri i personave që rezultojnë ende të zhdukur është midis 30 dhe 40”.

Sa u përket të plagosurve, ai bëri me dije se rreth 1.500 kanë nevojë për trajtim special dhe se 120 prej tyre janë ende në kujdes intensiv.

Ministria e Shëndetësisë – shtoi ai – ka marrë nga Ushtria e Libanit listën e donacioneve shëndetësore që kanë mbërritur nga vende të ndryshme, të cilat do të shpërndahen në objektet mjekësore anembanë vendit.

Më datë 4 gusht, depoja nr. 12 në Portin e Bejrutit, ku depozitoheshin 2.750 tonë nitrat amoni, fillimisht u përfshi nga flakët dhe më pas shpërtheu fuqishëm duke tronditur gjithë kryeqytetin e vendit.

Vala e shpërthimit rrafshoi ndërtesat afër dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale në kryeqytet duke lënë qindra mijëra njerëz të pastrehë.

Këshilli i Lartë për Emergjencat e Libanit bëri me dije se shpërthimi ka dëmtuar të paktën 8.000 ndërtesa, 50 prej të cilave janë objekte historike.

Shpërthimi në Portin e Bejrutit e goditi Libanin teksa vendi po ballafaqohet me krizën më të rëndë ekonomike duke përfshirë një zhvlerësim drastik të monedhës vendase kundrejt dollarit amerikan, si dhe pandeminë e koronavirusit.

Ndërkaq, demonstratat e dhunshme në vend vazhdojnë pavarësisht dorëheqjes së Kryeministrit Hassan Diab dhe qeverisë së tij.



Lajme të ngjashme