Liban – Qeveria jep dorëheqjen, Kryeministri Hassan Diab kritikon ashpër kastën politike

Kryeministri i Libanit, Hassan Diab, deklaroi të hënën duke njoftuar dorëheqjen se “kjo fatkeqësi (shpërthimi në Bejrut) është pasojë e korrupsionit kronik në administratën shtetërore”.

1470991
Liban – Qeveria jep dorëheqjen, Kryeministri Hassan Diab kritikon ashpër kastën politike

 

Shefi i Bejrutit zyrtar, Hassan Diab, e njoftoi dorëheqjen gjatë një konference shtypi në selinë e Kryeministrisë, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

“Kjo fatkeqësi është pasojë e korrupsionit kronik në administratën shtetërore. E kam thënë edhe më parë që korrupsioni është i pranishëm në të gjitha nivelet e shtetit. Sot po rezulton që sistemi i korrupsionit është më i madh se shteti dhe se shteti nuk është në gjendje të luftojë kundër tij”, vlerësoi ai duke u shprehur plot reagim kundër forcave politike në vend.

“Ajo klasë politike duhet të turpërohet për shkak të korrupsionit që ka rezultuar me këtë shkatërrim, i cili është fshehur për 7 vjet”, shtoi kreu i qeverisë libaneze.

Diab tërhoqi vëmendjen më tej mbi protestat popullore që filluan në muajin tetor (2019) kundër krizës ekonomike.

“Revolucioni (manifestimet protestuese) ishte kundër tyre, por ata nuk arritën ta kuptojnë këtë dhe vazhduan të bënin siç dinin vetë. Teksa qeveria jonë përpiqej të shpëtonte vendin, këta bënë çmos që përgjegjësinë e kolapsit të na e ngarkonin neve”, u shpreh kryeministri libanez.

Pasi vuri në pah se qeveria e tij u përpoq me të gjitha forcat për të shpëtuar vendin pa synuar ndonjë interes personal, Diab vijoi me këto fjalë: “Sot kemi arritur në fazën e këtij tërmeti, që goditi vendin me të gjitha pasqyrimet e tij. I vetmi shqetësim i yni është të bëjmë një hetim të shpejtë në mënyrë që kjo fatkeqësi të mos arrijë afatin e parashkrimit. Ne i referohemi një shteti që respekton të drejtat e qytetarëve me llogaridhënien dhe ndryshimin real që kërkojnë njerëzit.”

Hassan Diab tha se po bën “një hap mbrapa” në mënyrë që të jetë afër njerëzve dhe të “luftojë pranë tyre në betejën për ndryshim”.

“Unë e shpall sot dorëheqjen e kësaj qeverie. Lus Zotin që ta mbrojë Libanin”, vijoi ai duke e përsëritur këtë shprehje plot 3 herë.

Nga ana tjetër, Presidenti Michel Aoun i kërkoi kryeministrit dhe ministrave të dorëhequr që të qëndrojnë në detyrë deri sa të formohet qeveria e re.



Lajme të ngjashme