Liban – Presidenti Aoun: Shpërthimi në Bejrut mund të jetë shkaktuar nga një faktor i jashtëm

Presidenti i Libanit, Michel Aoun, ka deklaruar të premten se ekziston mundësia që një faktor i jashtëm të ketë shkaktuar shpërthimin në Portin e Bejrutit.

1469273
Liban – Presidenti Aoun: Shpërthimi në Bejrut mund të jetë shkaktuar nga një faktor i jashtëm

 

“Shkaku nuk është gjetur ende. Ka mundësi të ndonjë ndërhyrjeje të huaj përmes raketës, bombës apo ndonjë veprimi tjetër”, ka thënë Aoun në disa komente të konfirmuara nga zyra e tij.

Kreu i shtetit libanez ka bërë me dije se hetimet janë duke u kryer në tri nivele.

“Së pasi, si ka hyrë materiali shpërthyes në atë objekt dhe si është ruajtur? Së dyti, a ka qenë shpërthimi pasojë e neglizhencës apo ndonjë aksidenti? Dhe, së treti, ekziston apo jo mundësia e ndonjë ndërhyrjeje të jashtme?”, është shprehur ai.

Zyrtarët libanezë besojnë se një sasi e madhe e nitratit të amonit ka nxitur incidentin. Sipas tyre, kjo sasi është mbajtur në kushte jo të mira për kohë të gjatë.

Pasi ka theksuar se Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili vizitoi Bejrutin dy ditë më parë, i ka kërkuar pamjet satelitore të çastit të shpërthimit në portin e kryeqytetit libanez, Aoun saktësoi që në rast se imazhet nuk arrihet të sigurohen nga Franca, atëherë do t'i kërkojnë ato nga shtete të tjera.

Ai tërhoqi vëmendjen se hetimi në lidhje me shpërthimin në Bejrut do të përfshijë të gjithë përgjegjësit, të vegjël e të mëdhenj; ndërsa kërkoi që procesi gjyqësor duhet të jetë i shpejtë, pasi – sipas tij – drejtësia e vonuar nuk është drejtësi.

Sa u përket kërkesave për ndërkombëtarizimin e hetimit mbi shpërthimin në Portin e Bejrutit, presidenti libanez i cilësoi ato si “përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën”.

Aoun tha më tej se Libani po ballafaqohet me ndryshime të tilla si rishikimi i regjimit politik në vend.

“Ky incident hoqi bllokadën ndaj Libanit. Shumica e presidentëve të shteteve në botë më telefonuan, më shprehën gatishmërinë për të ndihmuar materialisht dhe filluan të dërgojnë avionët e tyre me ndihma”, sqaroi ai duke njoftuar se ndihma mjaft serioze do të mbërrijnë në Liban gjatë ditëve në vijim.

“Bejruti do të jetë më mirë sesa ishte përpara shpërthimit. Ne kemi një ide për të ndarë zonat e prekura nga shpërthimi ndërmjet vendeve që do të ndihmojnë”, përfundoi kreu i shtetit libanez.

Më datë 4 gusht, depoja nr. 12 në Portin e Bejrutit, ku depozitohej një sasi lëndësh plasëse tepër e madhe, fillimisht u përfshi nga flakët dhe më pas shpërtheu fuqishëm duke tronditur gjithë kryeqytetin e vendit. Si pasojë e këtij shpërthimi të jashtëzakonshëm, të paktën 154 veta gjetën vdekjen dhe rreth 5.000 të tjerë u plagosën.

Dëmi i shkaktuar nga shpërthimi mendohet të jetë së paku 10-15 miliardë dollarë.



Lajme të ngjashme