Donald Trump konfirmon pjesëmarrjen në konferencën e donatorëve për Libanin në Paris

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të marrë pjesë në konferencën e donatorëve për Libanin, e cila do të organizohet në Paris.

1469386
Donald Trump konfirmon pjesëmarrjen në konferencën e donatorëve për Libanin në Paris

 

Presidenca e Libanit bëri me dije nga rrjetet sociale se Trumpi i ka telefonuar homologut të tij libanez, Michel Aoun dhe pasi i ka përcjellë ngushëllimet, e ka njoftuar atë se SHBA-ja do të dërgojë materiale të ndihmës emergjente në solidarësi me popullin libanez.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Trumpi do të marrë pjesë në konferencën e donatorëve për Libanin, e cila do të mbahet në Paris.

“Kemi nevojë për bashkëpunim me Uashingtonin në rrugën e zhvillimit për të mbrojtur stabilitetin shoqëror dhe atë të sigurisë në Liban”, citohet të ketë thënë Aoun gjatë bisedës.

Nga ana tjetër, Presidenti Trump dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, kanë rënë dakord për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me dërgimin e ndihmave për popullin libanez.

Judd Deere, nënzëdhënës i Shtëpisë së Bardhës, njoftoi përmes një komunikate të shkruar se Trumpi dhe Macroni kanë realizuar një bisedë telefonike për shpërthimin në Portin e Bejrutit.

“Dy liderët kanë rënë dakord për të punuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë lidhur me dërgimin e ndihmave për popullin e Libanit”, vlerësoi Deere.

Më datë 4 gusht, depoja nr. 12 në Portin e Bejrutit, ku depozitohej një sasi lëndësh plasëse tepër e madhe, fillimisht u përfshi nga flakët dhe më pas shpërtheu fuqishëm duke tronditur gjithë kryeqytetin e vendit. Si pasojë e këtij shpërthimi të jashtëzakonshëm, të paktën 154 veta gjetën vdekjen dhe rreth 5.000 të tjerë u plagosën.



Lajme të ngjashme