Liban – Debati për hetim ndërkombëtar të shpërthimit në Bejrut, politika e ndarë në pro dhe kundër

Nënkryetari i Parlamentit të Libanit, Elie Ferzli, deklaroi të enjten se të kërkosh një hetim ndërkombëtar për shpërthimin në Portin e Bejrutit do të thotë të injorosh shtetin libanez.

1468268
Liban – Debati për hetim ndërkombëtar të shpërthimit në Bejrut, politika e ndarë në pro dhe kundër

 

Duke folur në një konferencë shtypi pas thirrjes së bërë nga 4 ish-kryeministra të vendit për formimin e një komiteti ndërkombëtar për të përcaktuar shkakun e shpërthimit në Portin e Bejrutit, Ferzli tha se debati në rend të ditës të sjell ndërmend atë pas atentatit vdekjeprurës që kishte në shënjestër ish-kryeministrin Rafik Hariri.

“Të kërkosh një hetim ndërkombëtar për shpërthimin në Portin e Bejrutit do të thotë të injorosh shtetin e Libanit”, u shpreh ai duke shtuar se nuk do ta pranonte një hetim ndërkombëtar.

Ish-kryeministrat Saad al-Hariri, Tammam Salam, Najib Mikati dhe Fouad Siniora, në një komunikatë të përbashkët pas takimit mes tyre në rezidencën e Haririt në Bejrut, u bënë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për ngritjen e një komiteti hetues ndërkombëtar ose arab për të zbuluar shkaqet e shpërthimit të jashtëzakonshëm në depon nr. 12 të Portit të Bejrutit, ku magazinohej një sasi e madhe lëndësh plasëse.

“Ka dyshime serioze për sa i përket kohës dhe rrethanave, në të cilat ndodhi shpërthimi në Portin e Bejrutit. Ky hetim nuk duhet të jetë i hapur për pazare në asnjë mënyrë, faktet nuk duhet të anashkalohen dhe e vërteta duhet të zbardhet pa marrë parasysh rezultatet”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e përbashkët të 4 ish-kryeministrave libanezë.

Si pasojë e shpërthimit të së martës në Portin e Bejrutit, me pasojë të paktën 135 të vdekur, 5 mijë të plagosur dhe dhjetëra të zhdukur nën rrënoja – sipas ministrit të Shëndetësisë, Hamad Hassan – Këshilli i Lartë i Mbrojtjes së Libanit e shpalli kryeqytetin e vendit një “zonë fatkeqësie”.



Lajme të ngjashme