Shpërthimi në Bejrut, rritet në 113 numri i të vdekurve

Ka shkuar në 113 numri i vdekurve dhe në 4.000 numri i të plagosurve nga shpërthimi që ndodhi të martën në mbrëmje në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.

1467271
Shpërthimi në Bejrut, rritet në 113 numri i të vdekurve

 

Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve “NNA”, në depon Nr. 12, që ndodhet në Portin e Bejrutit dhe në të cilën kishte eksploziv, ra zjarr, i cili shkaktoi një shpërthim të fuqishëm. Shpërthimi u dëgjua edhe në periferitë e kryeqytetit.

Presidenti i Libanit, Mishel Aoun tha se zjarrin e kishte shkaktuar shpërthimi i 2 mijë e 750 ton nitrat amoni, që mbahej për 6 vite në këtë depo. “Kjo është e papranueshme”,- u shpreh Aoun dhe premtoi dënimin më të rëndë për autorët dhe shkaktarë e këtij shpërthimi të madh.

Në këtë ngjarje humbën jetën 113 njerëz dhe u plagosën më shumë se 4 mijë. Midis të plagosurve janë edhe shtetas turq.

Përveç shtëpisë së ish-kryeministrit Saad Hariri nga shpërthimi kanë pësuar dëme ndërtesa e qeverisë, godinat e rrugët përreth. Raportohet se nën rrënojat e një ndërtese trekatëshe që është rrëzuar ka ende njerëz.

Drejtori i Policisë deklaroi se ngjarja ka ndodhur në një depo, ku ishte vendosur një sasi e madhe eksploziv i sekuestruar më parë.

Në reagimin e parë Kryeministri Hassan Diab tha: "Ata që janë përgjegjës për fatkeqësinë e sotme do të japin llogari." Edhe ministri i Mbrojtjes, Zeyne Aker tha se ata që kanë neglizhuar detyrën do të shkojnë në gjyq.

Në vend është shpallur zi kombëtare, kurse Këshilli i Lartë i Mbrojtjes e shpalli kryeqytetin Bejrut një zonë katastrofash për dy javë.

Interesante është se shpërthimi ndodhi disa ditë përpara se Gjykata Ndërkombëtare e OKB-së për Libanin të shpallë (7 gusht) vendimin e saj për çështjen e vrasjes me atentat të ish-kryeministrit libanez Refik Hariri (2005).

Nga ana tjetër, zyrtarët izraelitë në deklaratat që kanë bërë në kushte anonimati për median vendore kanë thënë se Tel-Avivi nuk ka asnjë lidhje me shpërthimin në Bejrut.

Ata refuzuan lidhjen e Izraelit me ngjarjen, dhe pohuan se ngjarja mund të jetë një aksident.

Hizbullahu libanez i mohoi pretendimet se shkaku i shpërthimit në kryeqytetin Bejrut ishte një sulm i Izraelit kundër depove të tyre të armatimit në port.



Lajme të ngjashme