Gjermania kritikon Egjiptin për planet e ndërhyrjes ushtarake në Libi

"Vendimet në lidhje me dërgimin e misioneve ushtarake nuk mund të jenë të mirëprituara, sepse ato bartin me vete rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensionit”,- tha shefi i diplomacisë gjermane nga Athina.

1459545
Gjermania kritikon Egjiptin për planet e ndërhyrjes ushtarake në Libi

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas u takua në Athinë, ku ndodhej për një vizitë zyrtare, me homologun e tij grek, Nikos Dendias, me të cilin më vonë mbajti një konferencë të përbashkët shtypi.

Këtu, Maas shprehu shqetësimet e vendit të tij për planet e Egjiptit për ndërhyrje ushtarake në Libi.

Heiko Maas tha se për një kohë të gjatë qeveria gjermane është përpjekur të reduktojë tensionet në Libi përmes bisedimeve me palët libiane dhe aktorët rajonalë.

"Vendimet në lidhje me dërgimin e misioneve ushtarake nuk mund të jenë të mirëprituara, sepse ato bartin me vete rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensionit”,- vlerësoi shefi i diplomacisë gjermane.

Përveç kësaj, ministri i Jashtëm gjerman u bëri thirrje palëve në Libi që të kthehen në bisedime në formatin "5+5" (bisedime në të cilat marrin pjesë nga 5 përfaqësues të qeverisë zyrtare libiane dhe mbështetësve të puçistit Haftar) për arritjen e marrëveshjes për një armëpushim të qëndrueshëm, i cili mund t’i hapë rrugë zgjidhjes politike.

Parlamenti egjiptian miratoi të hënën një propozim që e autorizon Presidentin Abdel Fattah al-Sisi të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë kombëtare të vendit, gjë kjo që i jep atij mundësinë të ndërmarrë edhe një ndërhyrje ushtarake në Libi.

 


Lajme të ngjashme