Korporata Kombëtare e Naftës së Libisë mban përgjegjës Haftarin për ndërprerjen e prodhimit

Korporata Kombëtare e Naftës së Libisë (NOC) dënoi udhëheqësin e forcave të paligjshme të armatosura në lindje të vendit, Halife Haftar, për ndërprerjen e prodhimit dhe eksportit të naftës në të gjithë vendin.

1453935
Korporata Kombëtare e Naftës së Libisë mban përgjegjës Haftarin për ndërprerjen e prodhimit

Korporata Kombëtare e Naftës së Libisë (NOC) dënoi udhëheqësin e forcave të paligjshme të armatosura në lindje të vendit, Halife Haftar, për ndërprerjen e prodhimit dhe eksportit të naftës në të gjithë vendin.

Korporata Kombëtare e Naftës, e cila është autoriteti i vetëm për nxjerrjen, përpunimin, shpërndarjen dhe eksportin e naftës në Libi, pas deklaratës së Haftarit që “Nëse nuk përmbushen disa kushte të caktuara prodhimi i naftës do të ndalet” deklaroi se “institucioni duhej të aplikonte dispozitën e ‘forcës madhore’ në eksportet e naftës në të gjithë vendin për të kufizuar përgjegjësitë e tij që rrjedhin nga marrëveshjet”.

Në deklaratë, ku rikujtohet që eksporti i naftës së papërpunuar filloi me ngarkimin e një anije cisternë në portin Sidre më 10 korrik, thuhet: “Halife Haftar më 11 korrik urdhëroi forcat e tij të armatosura jolegjitime të ndalin eksportin dhe kështu ai u tërhoq nga qëndrimi bashkëpunues në negociata. Autoriteti u informua që urdhri për ndalimin e eksportit forcat e Haftarit e morën nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA)”.

Korporata Kombëtare e Naftës së Libisë dënoi ndalimin e prodhimit të naftës dhe nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së kërkoi që vendet përgjegjëse të japin llogari, ndërsa u tha se hedhja e një hapi të tillë pas deklaratave të zyrtarëve të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe se mbështesin prodhimin e naftës në Libi dhe përpjekjet ndërkombëtare paraqet “zhgënjim”.

Në mes tjerash në deklaratë thuhet se kompania ruse e sigurimit “Wagner” dhe mercenarët sirianë pushtuan portin e Sidre-s dhe se mercenarët sudanezë janë vendosur në afërsi të fushës së naftës Serare, ndërsa u bë thirrje për tërheqjen e të gjithë mercenarëve nga impiantet e naftës në Libi.

Ndërkohë në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA)Tripoli thuhet: “Ambasada është e shqetësuar nga përpjekjet e mbështetura nga jashtë që pengojnë detyrën jetësore të Korporatës Kombëtare të Naftës së Libisë (NOC). Këto përpjekje rrisin rrezikun e konfliktit në Libi. Bastisjet e mercenarëve të Rusisë (Wagner) në objektet e NOC, si dhe mesazhet kontradiktore të bëra nga e ashtuquajtura ushtria kombëtare e Libisë (e udhëhequr nga Halife Haftar), dëmtojnë të gjithë libianët që përpiqen për një të ardhme më të sigurt dhe të begatë”.

Në deklaratën e ambasadës amerikane theksohet se “Portat janë ende të hapura për ata që do të lënë armët, do të refuzojnë manipulimet e jashtme dhe do të takohen në dialog paqësor për të qenë pjesë e zgjidhjes”, ndërsa bëhet e ditur se “Ata që bëjnë përpjekje për të minuar ekonominë libiane dhe përshkallëzojnë tensionimin ushtarak do të jenë të izoluar dhe do të ballafaqohen me rrezikun për t’u sanksionuar”.

 


Lajme të ngjashme