OKB – Këshilli i Sigurimit hedh poshtë p/rezolutën e Rusisë, përgjysmonte ndihmat për Sirinë

Drafti rus kërkonte zgjatjen e mekanizmit ndërkufitar për 6 muaj të tjerë dhe kufizimin e numrit të pikave të kalimit kufitar të ndihmave vetëm nga Bab al-Hawa.

1451967
OKB – Këshilli i Sigurimit hedh poshtë p/rezolutën e Rusisë, përgjysmonte ndihmat për Sirinë
bmgk yemen.jpg
bmgk.jpg
bmgk

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSKB) hodhi poshtë të mërkurën projektrezolutën ruse, e cila kërkonte zgjatjen e ndihmës ndërkufitare për Sirinë me 6 muaj nëpërmjet një pike kufitare.

Krahas votës ruse, ky propozim fitoi vetëm mbështetjen e Kinës, Vietnamit dhe Afrikës së Jugut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Belgjika, Estonia dhe Republika Dominikane votuan “kundër” projektrezolutës, të cilës i duheshin të paktën 9 vota “pro”.

Tunizia, Nigeri, Indonezia dhe Shën-Vincenti dhe Grenadinet abstenuan.

Drafti rus kërkonte zgjatjen e mekanizmit ndërkufitar për 6 muaj të tjerë dhe kufizimin e numrit të pikave të kalimit kufitar të ndihmave vetëm nga Bab al-Hawa.

Të martën, Rusia dhe Kina vendosën veton për rinovimin e mekanizmit që lejon dërgimin e ndihmave ndërkombëtare nga Turqia për rreth 3 milionë njerëz në Siri.

Ky mekanizëm, projektrezoluta për rinovimin e të cilit u paraqit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga Gjermania dhe Belgjika, mundëson dërgimin e ndihmave ndërkombëtare ndërkufitare për Sirinë që nga viti 2014 dhe skadon më 10 korrik.

Në bazë të rezolutës aktuale, ndihma e OKB-së dorëzohet nga Turqia në veriperëndim të Sirisë përmes vendkalimeve kufitare Bab al-Hawa përballë Cilvegozu dhe Bab al-Salam përballë Oncupinar.

Pas vetos së Rusisë dhe Kinës, të dyja portat kufitare në fjalë do të mbyllen për kalimin e autokolonave të ndihmave.

Moska argumenton se vendkalimi kufitar Bab al-Hawa mund të mbulojë të gjitha nevojat humanitare të popullatës së Idlibit, ndërsa Bab al-Salam siguronte vetëm 14% të dërgesave të përgjithshme me ndihma

Megjithatë zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë përsëritur se të dy kalimet kufitare nga Turqia në Siri janë “një rrugë shpëtimi për miliona civilë, të cilët OKB-ja nuk mund t'i arrijë me mjete të tjera”.

Një rezolutë e KSKB-së është e domosdoshme për realizimin e ndihmave ndërkufitare në Siri.

Sipas OKB-së, rreth 70% e 3 milionë banorëve të Idlibit kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Ndihmës Humanitare (OCHA) ka dërguar 8.468 autokolona me ndihma humanitare në Siri që nga janari i këtij viti, përfshi këtu edhe 1.613 përmes Turqisë.

Vitin e kaluar, ndihma humanitare hynte në Siri përmes 4 vendkalimeve kufitare, por dërgesat e ndihmave nga vendkalimet kufitare me Jordaninë dhe Irakun u ndërprenë gjthashtu për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës.

Siria është e përfshirë në një luftë civile të egër që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit shtypi me forcë protestat prodemokratike në vend.

Qindra-mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë shpërngulur që atëherë, sipas të dhënave të OKB-së.



Lajme të ngjashme