OKB – Veto e Rusisë dhe Kinës për dërgimin e ndihmave ndërkombëtare në Siri

Rusia dhe Kina vendosën veton për rinovimin e mekanizmit që lejon dërgimin e ndihmave ndërkombëtare për rreth 3 milionë njerëz në Siri.

1451104
OKB – Veto e Rusisë dhe Kinës për dërgimin e ndihmave ndërkombëtare në Siri

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSKB) votoi për rinovimin e mekanizmit, i cili mundëson dërgimin e ndihmave ndërkombëtare ndërkufitare për Sirinë që nga viti 2014 dhe skadon më 10 korrik.

Paraqitur Këshillit të Sigurimit nga Gjermania dhe Belgjika, projektrezoluta në fjalë u përball me veton e Rusisë dhe Kinës.

Në bazë të rezolutës aktuale, ndihma e OKB-së dorëzohet nga Turqia në veriperëndim të Sirisë përmes vendkalimeve kufitare Bab al-Hawa përballë Cilvegozu dhe Bab al-Salam përballë Oncupinar.

Pas vetos së Rusisë dhe Kinës, të dyja portat kufitare në fjalë do të mbyllen për kalimin e autokolonave të ndihmave pasi mekanizmi skadon në 10 korrik.

Një rezolutë e KSKB-së është e domosdoshme për realizimin e ndihmave ndërkufitare në Siri.

Sipas OKB-së, rreth 70% e 3 milionë banorëve të Idlibit kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Ndihmës Humanitare (OCHA) ka dërguar 8.468 autokolona me ndihma humanitare në Siri që nga janari i këtij viti, përfshi këtu edhe 1.613 përmes Turqisë.

Vitin e kaluar, ndihma humanitare hynte në Siri përmes 4 vendkalimeve kufitare, por dërgesat e ndihmave nga vendkalimet kufitare me Jordaninë dhe Irakun u ndërprenë për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës.

Siria është e përfshirë në një luftë civile të egër që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit shtypi me forcë protestat prodemokratike në vend.

Qindra-mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë shpërngulur që atëherë, sipas të dhënave të OKB-së.



Lajme të ngjashme