Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut miraton p/rezolutat kundër Izraelit

Këshilli i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut ka miratuar projektrezolutat në favor të Palestinës, përfshirë edhe p/rezolutën kundër planit të Izraelit për vendbanimet e paligjshme hebre në territoret e okupuara palestineze.

1441556
Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut miraton p/rezolutat kundër Izraelit

Këshilli i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut ka miratuar projektrezolutat në favor të Palestinës, përfshirë edhe p/rezolutën kundër planit të Izraelit për vendbanimet e paligjshme hebre në territoret e okupuara palestineze.

Pas diskutimeve në sesionin e 43-të të Këshillit mbajtur në Gjenevë të Zvicrës u miratuan të trembëdhjetë projektrezolutat (palestineze).

Në takimin e Këshillit u diskutua edhe p/rezoluta e paraqitur nga Pakistani në emër të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OIC), që refuzon planin e Izraelit për "Vendbanimet e paligjshme hebre në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Jerusalemin Lindor".

Pas mbajtjes së fjalimeve mbi tekstin e p/rezolutës, Këshilli me 47 anëtarë kaloi në procesin e votimit.

Kjo p/rezolutë kundër Izraelit u miratua me 36 vota në favor, 9 abstenime dhe 2 kundër.

Sipas tekstit të rezolutës së miratuar, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut do të përgatisë një raport mbi planin ilegal të Izraelit dhe do ta paraqesë atë në sesionin e 46-të të Këshillit.

Gjithashtu në këtë takim të Këshillit u miratua me 43 vota në favor, 2 abstenime dhe 2 kundër edhe p/rezoluta tjetër e paraqitur nga Pakistani në emër të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OIC) që mbështet "Të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje".

Një p/rezolutë tjetër që paraqiti Pakistani në takimin e radhës së Këshillit ishte edhe ajo mbi “Situatën e të drejtave të njeriut në territoret e okupuara palestineze, përfshirë Jerusalemin Lindor". Edhe kjo p/rezolutë u miratua me 42 vota në favor, 3 abstenime dhe 2 kundër.

P/rezoluta e fundit që u paraqit për diskutim dhe miratim në sesionin e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ishte ajo për "Situatën e të drejtave të njeriut në Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli". Edhe kjo p/rezolutë kaloi nga Këshilli me 26 vota “Pro”, 4 abstenime dhe 17 kundër.

Ndërkaq p/rezoluta e përbashkët e Turqisë, Katarit, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Jordanisë, Kuvajtit, Marokut dhe Holandës mbi “Situatën e të drejtave të njeriut në Siri” u pranua me 27 vota “Pro”, 2 kundër dhe 18 abstenime.

Në takimin e Këshillit u miratua gjithashtu me “konsensus”, pa u hedhur në votim, projektrezoluta e paraqitur nga Burkina-Faso në emër të vendeve afrikane mbi “Zhvillimin e të drejtave të njeriut në Libi dhe hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur në këtë vend që nga viti 2016”.

Sesioni i 43-të i Këshillit ishte hapur në shkurt, por ishte ndërprerë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (Covid-19). Sesioni do t’i mbyllë punimet nesër.

 


Lajme të ngjashme