SHBA – Senati miraton kongresistin John Ratcliffe në krye të Sigurisë Kombëtare

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës konfirmoi të enjten kongresistin republikan të Teksasit, John Ratcliffe, kandidat i Presidentit Donald Trump, në postin e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (DNI).

1421909
SHBA – Senati miraton kongresistin John Ratcliffe në krye të Sigurisë Kombëtare

Gjatë votimit në Senatin e mbizotëruar nga republikanët, 49 senatorë votuan “pro” dhe 44 “kundër” emërimit të Ratcliffe në postin e DNI-së. Asnjë senator demokrat nuk votoi në favor të tij.

I njohur për qëndrimet e tij në favor të Trumpit, kongresisti Ratcliffe pritet të betohet dhe fillojë detyrën gjatë ditëve në vijim.

Ai ishte ndër emrat kryesorë të ekipit mbrojtës të presidentit amerikan gjatë hetimit për shkarkimin e tij me akuzat për abuzim me detyrën për përfitim politik dhe pengim të përpjekjeve të Kongresit për të hetuar këto veprime.

Vitin e kaluar, pasi njoftoi se Dan Coats do të linte detyrën e Drejtorit të Sigurisë Kombëtare më 15 gusht, Trumpi propozoi për herë të parë emërimin e republikanit nga Teksasi për këtë pozicion, por ai u tërhoq për shkak të kundërshtimeve dhe shqetësimeve të Kongresit.

Pavarësisht kritikave të ashpra nga demokratët për politizimin e komunitetit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, kreu i Shtëpisë së Bardhë e paraqiti kandidaturën e kongresistit Ratcliffe për herë të dytë.



Lajme të ngjashme