OBSH: Koronavirusi është me origjinë natyrore

Mike Ryan, drejtor i Programit të Situatave Emergjente të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), deklaroi të premten se janë të sigurt që koronavirusi i ri (COVID-19) është me origjinë natyrore.

1409224
OBSH: Koronavirusi është me origjinë natyrore

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, organizoi një konferencë shtypi virtuale në selinë e institucionit që drejton, në qytetin Gjenevë të Zvicrës.

Ghebreyesus theksoi se vazhdon në mënyrë të hapur “situata emergjente ndërkombëtare e shëndetit publik” në lidhje me pandeminë COVID-19.

Ndërkaq, ai refuzoi edhe një tjetër herë akuzat se OBSH-ja është vonuar për të reaguar kundër pandemisë.

Kurse pyetjes drejtuar tij në lidhje me deklaratat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se “COVID-19 është prodhuar në një laborator në qytetin Vuhan të Kinës” dhe se “OBSH-së duhet t'i vijë turp nga vetja, sepse po punon si të ishte agjenci kineze e marrëdhënieve me publikun”, Ghebreyesus kërkoi që t'i përgjigjet drejtori i Programit të Situatave Emergjente të OBSH-së, Mike Ryan, i cili theksoi se një numër i madh shkencëtarësh e kanë analizuar disa herë sekuencën e gjeneve të koronavirusit të ri.

“Rrjedhimisht, ne jemi të sigurt që ky virus është me origjinë natyrore”, shtoi ai.

Trumpi deklaroi të enjten se ai kishte parë fakte që COVID-19 kishte dalë nga një laborator në qytetin Vuhan të Kinës, por duke iu shmangur detajeve të mëtejshme.

Gjatë daljeve publike ditëve të fundit, lideri amerikan e ka akuzuar shpeshherë Kinën për fshehje të shifrave reale të rasteve dhe vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi dhe për përhapjen e tij anembanë globit.



Lajme të ngjashme