Kina e shqetësuar për pezullimin e fondeve amerikane për OBSh-në

Kina tha të mërkurën se vendimi i Presidentit Donald Trump për të pezulluar fondet për OBSh-në do të prekte të gjitha vendet, në një kohë që bota përballet me një fazë kritike në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

1398864
Kina e shqetësuar për pezullimin e fondeve amerikane për OBSh-në

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Cao Licien në konferencën e zakonshme për shtyp në Pekin ka theksuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka marrë përsipër një përgjegjësi të pakrahasueshme në fushën e mbrojtjes së shëndetit global dhe po e përmbush aktivisht përgjegjësinë e saj që nga shfaqja e koronavirusit të llojit të ri (Covid-19) dhe luan një rol qendror koordinues në motivimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër pandemisë.

Pasi tha se epidemia globale ndodhet në një nivel shumë kritik dhe të rëndë,- Cao potencoi se vendimi i ShBA-së (për pezullimin e fondeve) do të dobësonte kapacitetin e OBSh-së dhe do të dëmtonte bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë.

"Ne i ftojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të përmbushin me sinqeritet përgjegjësinë dhe detyrat e tyre dhe të mbështesin pozicionin udhëheqës të OBSh-së në lëvizjen për të luftuar kundër pandemisë globale", u shpreh zëdhënësi Cao.

Të martën Presidenti i ShBA-së, Donald Trump kishte thënë se OBSh-ja bart një rëndësi serioze në përhapjen e epidemisë në mbarë botën dhe se organizata e kishte mashtruar që në fillim botën në lidhje me këtë çështje.

"Sot unë e udhëzova administratën time që të ndalojë fondet tona për Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Të gjithë e dinë se çfarë po ndodh atje (në OBSh)”,- ishte shprehur Trump ndërsa kishte shtuar se vendi i tij kontribuonte në OBSh me një fond rreth 400-500 milionë dollarë në vit, ndërsa fondi kinez është vetëm 40 milionë dollarë në vit.

 


Lajme të ngjashme