Ruhani: Irani është në situatë më të mirë se vendet evropiane në epideminë e Covid-19

Presidenti iranian Hasan Ruhani tha se vendi i tij është në gjendje më të mirë se vendet evropiane në luftën kundër epidemisë së llojit të ri të koronavirusit (Covid-19).

1396450
Ruhani: Irani është në situatë më të mirë se vendet evropiane në epideminë e Covid-19

Presidenti iranian Hasan Ruhani tha se vendi i tij është në gjendje më të mirë se vendet evropiane në luftën kundër epidemisë së llojit të ri të koronavirusit (Covid-19).

Sipas televizionit shtetëror të Iranit, Presidenti Ruhani i bëri një vlerësim epidemisë në vend gjatë mbledhjes së Bordit Kombëtar në Luftën Kundër Koronavirusit të mbajtur në kryeqytetin Teheran.

“Ne jemi në gjendje më të mirë se vendet evropiane në luftën kundër koronavirusit. Ka dallime të mëdha midis nesh. Në bazë të rasteve, niveli ynë i humbjeve është 7 për qind, në disa vende evropiane kjo normë është rreth 22 për qind ose edhe më e lartë”, bëri të ditur Ruhani.

Duke folur me lëvdata për punonjësit e kujdesit shëndetësor të vendit të tij, Presidenti i Iranit tha: “Evropa po lufton me një virus, ndërsa Irani me dy. Njëri është koronavirusi, e tjetri sanksionet ekonomike”.

Ruhani shtoi se përpjekjet për të sjellë në Iran 1,6 miliardë dollarë, të cilat mbaheshin të bllokuara me urdhër të ShBA-së në Luksemburg, kanë dhënë rezultate pozitive.

“Amerikanët janë shumë mizorë ndaj nesh. Kërkojmë kredi, ata e bllokojnë. Tani kanë probleme edhe vet me epideminë e këtij virusi. Edhe pse janë të vetëdijshëm për situatën tonë, ata vazhdojnë të rrisin presionin çdo ditë. Kjo sjellje çnjerëzore do të hyjë në historinë e tyre”, bëri të ditur Ruhani.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Iran deri dje arriti në 4 mijë e 357, ndërsa i të infektuarve në 70 mijë e 29.

 


Lajme të ngjashme