OKB-ja miraton njëzëri rezolutën për solidaritet global kundër pandemisë COVID-19

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi unanimisht të enjten vonë një projektrezolutë që bën thirrje për rritjen e solidaritetit global dhe bashkëpunimit ndërkombëtar kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

1390675
OKB-ja miraton njëzëri rezolutën për solidaritet global kundër pandemisë COVID-19

Përgatitur nga Norvegjia, Zvicra, Lihtenshtajni e Gana dhe sponsorizuar nga 188 prej gjithsej 193 shteteve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, p/rezoluta në fjalë u miratua njëzëri.

Kjo është rezoluta e parë e miratuar në OKB për pandeminë globale COVID-19, e cila vjen pasi numri i rasteve të konfirmuara me këtë virus kapërceu pragun simbolik të 1 milionëve në mbarë globin.

Në rezolutë, ku u theksua nevoja për të ndihmuar vendet e varfra dhe më të prekura nga pandemia, u tërhoq vëmendja mbi efektin shkatërruese të saj në shoqëritë anembanë botës dhe mbi pengesat serioze që ajo po ngre për ekonominë, udhëtimet dhe tregtinë globale.

Duke bërë thirrje për rritjen e solidaritetit global dhe bashkëpunimit ndërkombëtar kundër pandemisë së koronavirusit të ri, rezoluta thekson gjithashtu domosdoshmërinë për të hedhur poshtë çdolloj diskriminimi, racizmi e ksenofobie dhe për të respektuar të drejtat e njeriut në luftën kundër virusit fatal.

Nga ana tjetër, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së hodhi poshtë një tjetër projektrezolutë, paraqitur nga Rusia me thirrjen për t'u dhënë fund luftërave tregtare kundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe për të ndaluar sanksionet e njëanshme të vendeve pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Siç bëjnë të ditur burimet diplomatike, kjo p/rezolutë hasi në kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Ukrainës.

Duke qenë se në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është e pamundur të votohet për shkak të pandemisë, rregullat e reja të përcaktuara theksojnë se p/rezolutat mund të miratohen vetëm njëzëri.

Pas shfaqjes për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës më 12 dhjetor 2019, pandemia globale COVID-19 është përhapur në rreth 200 vende dhe territore, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins” me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dhënat e Universitetit “Johns Hopkins” tregojnë se më shumë se 1 milion raste janë raportuar në të gjithë botën që nga dhjetori i kaluar, me të paktën 211 mijë të shëruar dhe mbi 53 mijë vdekje.



Lajme të ngjashme