Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja i dorëzon Irakut edhe bazën ajrore në Qayyarah

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër organizatës terroriste DAESH i dorëzoi Irakut zyrtarisht të enjten bazën ushtarake ajrore në Qayyarah, qytet në jug të Mosulit.

1386023
Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja i dorëzon Irakut edhe bazën ajrore në Qayyarah

Dorëzimi i bazës ajrore në fjalë erdhi pas largimit të trupave franceze nga Iraku të mërkurën.

“Forcat amerikane të vendosura në bazën ajrore në Qayyarah janë tërhequr plotësisht të enjten në mëngjes”, deklaroi një burim ushtarak në kushte anonimiteti për shkak të kufizimeve për të folur në media.

Koalicioni ndërkombëtar konfirmoi largimin e qindra trupave të tij nga Iraku dhe ia dorëzoi të gjitha komplekset dhe bazat e tij ushtrisë irakiane.

“Koalicioni është në Irak me ftesë të qeverisë irakiane për të mposhtur mbetjet e DAESH-it, ky është qëllimi ynë i vetëm. Në fakt, ne po ia transferojmë bazat ushtrisë irakiane dhe qindra trupa trajnuese po largohen përkohësisht për t'u siguruar nga COVID-19”, bëri me dije koloneli Myles Caggins, zëdhënës i koalicionit, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”.

Të mërkurën, Franca tërhoqi nga Iraku trupat e saj në kuadër të koalicionit antiDAESH të udhëhequr nga SHBA-ja, pas marrëveshjeve të arritura më herët me Bagdadin.

Më parë gjatë ditës së mërkurë, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës Çeke kishte njoftuar gjithashtu tërheqjen e trupave të saj nga Iraku për shkak të rreziqeve në rritje të koronavirusit dhe sulmeve që kanë në shënjestër forcat e koalicionit.

Gjeneralbrigade Vincent Barker, drejtor i Operacioneve të Përbashkëta të Koalicionit, vuri në pah se baza ajrore në Qayyarah ka luajtur një rol madhor në marrjen e Mosulit nga DAESH-i.

“Sidomos kjo bazë është me rëndësi kritike për Forcat Ajrore të Irakut, që ndërmarrin sulme kundër strehimoreve të DAESH-it”, vlerësoi zyrtari ushtarak amerikan.

Rreth 10 ditë më parë, SHBA-ja i tërhoqi trupat e saj gjithashtu nga baza ushtarake strategjike në Al Qaim, qytet pranë kufirit Irak-Siri, duke ua dorëzuar atë forcave irakiane të sigurisë.



Lajme të ngjashme