Koronavirusi përshpejton hovin e përhapjes, vendet lindore shtrëngojnë masat

Pandemia globale e koronavirusit të ri (COVID-19) vazhdon të përhapet me shpejtësi në të gjithë botën dhe vendet nuk po arrijnë të ndalin humbjet e jetëve.

1384839
Koronavirusi përshpejton hovin e përhapjes, vendet lindore shtrëngojnë masat

Iran, shtet në të cilin vdekjet nga ky virus kanë arritur në 2.000, shuarja e një fëmije 6-vjeçar tronditi botën anembanë. Mes të vdekurve është edhe një drejtor policie. Presidenti Hassan Rouhani theksoi se Irani ka kapërcyer valën e parë të rasteve me COVID-19, por një valë e dytë mund të fillojë me kthimin e qytetarëve nga pushimet e Nevruzit. Në kuadër të masave kundër përhapjes së mëtejshme të llojit të ri të virusit korona, daljet dhe udhëtimet nga qytetet iraniane u ndaluan rreptësisht. Ushtria ngriti një spital të përkohshëm me kapacitet 2.000 shtretër në hapësirën e panaireve të kryeqytetit Teheran, ku në kuadër të masave kundër sëmundjes në fjalë u ndalua dalja jashtë provincës e të gjitha mjeteve motorike, me përjashtim të autoboteve të karburanteve, makinave të personelit të shëndetësisë dhe forcave të sigurisë. Kurse zëvendësministri i Shëndetësisë së Iranit, Alireza Raisi, deklaroi se “në hulumtimet epidemiologjike që janë realizuar në vend lidhur me sëmundjen e koronavirusit të ri, është vërejtur se kjo epidemi, e cila shpërtheu në Qom, ka lidhje të qartë dhe absolute me kinezët që ndodhen në këtë provincë”.

Zëvendëskryeministrja e Rusisë për Politikat Sociale, Punën, Shëndetin dhe Sigurimin e Pensioneve, Tatiana Golikova, njoftoi se në vend janë regjistruar edhe 163 raste të reja duke e çuar numrin total të pacientëve me COVID-19 në 658. Ajo nënvizoi se shkaktarët e përhapjes së infeksionit tek qytetarë të tjerë në Rusi do të dënohen me gjoba deri në 12.300 dollarë dhe me burgim deri në 3 vjet. Sipas zv/kryeministres Golikova, evakuimi i rusëve nga jashtë shtetit do të marrë fund ditën e enjte. Kurse Presidenti Vladimir Putin, si masë preventive kundër virusit, bëri të ditur se referendumi popullor i 22 prillit do të shtyhet dhe qytetarët do të konsiderohen me leje administrative javën e ardhshme.

Ukrainë ka shkuar në 4 numri i vdekjeve dhe në 113 ai i të infektuarve. Këshilli i Ministrave shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në shkallë vendi.

Iraku raportoi 4 vdekje të reja nga sëmundja në fjalë duke e çuar numrin e përgjithshëm të deritanishëm në 28, ndërkohë që rastet aktive të konfirmuara janë 316 dhe të shëruarit 75.

Ministria e Fondacioneve dhe Çështjeve Fetare në Rripin e Gazës, ku deri më sot është diagnostikuar vetëm 1 person i infektuar, vendosi që të gjitha xhamitë e zonës të mbyllen për 2 javë duke filluar nga e mërkura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Dr. Ashraf Al-Qudra, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, bëri me dije se për shkak të bllokadës izraelite mbi 13-vjeçare në këtë rajon, materialet laboratorike janë shumë të kufizuara dhe mungojnë 39% e barnave esenciale, 23% e pajisjeve mjekësore dhe 60% e stoqeve të gjakut. Duke theksuar se Izraeli është përgjegjës për jetën e palestinezëve, Al-Qudra paralajmëroi se dobësimi sistematik i mekanizmave që ofrojnë shërbime humanitare dhe shëndetësore në këtë zonë nga ana e Izraelit, është duke e shtyrë Gazën në një udhëkryq të rrezikshëm për sa i takon luftës me pandeminë COVID-19. Zëdhënësi palestinez përsëriti edhe një tjetër herë thirrjen e tij drejtuar institucioneve dhe organizatave të OKB-së për “heqjen e bllokadës në Gazë dhe plotësimin e nevojave urgjente në luftën me koronavirusin, siç janë aparatet e ventilimit, barnat, materialet mjekësore dhe pajisjet laboratorike”.

Kurse në Izrael është rritur në 5 numri i viktimave nga lloji i ri i virusit korona dhe në mbi 2.000 numri i të infektuarve. Në kuadër të masave kundër përhapjes së mëtejshme të sëmundjes, qeveria vendosi kufizimin e numrit të pasagjerëve në 2 në automjetet private dhe në 1 në taksi. Sipas urdhrit të ri, izraelitët mund të lëvizin jo më shumë se 100 m larg banesave të tyre, përveçse kur shkojnë në ushqimore apo në farmaci; ndërsa sinagogat do të mbyllen përkohësisht në të gjithë vendin duke filluar nga mbrëmja e 25 marsit.

Infektimet dhe vdekjet nga COVID-19 janë shtuar edhe në Afganistan. Ministria e Shëndetësisë së vendit deklaroi se rastet e konfirmuara kanë arritur në 80 dhe vdekjet në 2. Gjithashtu mësohet se 4 ushtarë italianë të NATO-s me mision në Afganistan kanë rezultuar pozitivë në testet e koronavirusit. Guvernatori i Heratit, Abdul Qayum Rahimi, shpalli ndalimqarkullimin në të gjithë territorin e provincës duke filluar nga e mërkura.

Emiratet e Bashkuara Arabe konfirmuan 50 raste të reja në 24 orët e fundit, gjë që e çon në gjithsej 248 numrin e të infektuarve në këtë shtet, nga të cilët 45 janë shëruar.

Katari bëri me dije se 25 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë në testet e koronavirusit dhe se tashmë vendi ka 526 raste të konfirmuara në total.

Ministria e Shëndetësisë së Jordanisë njoftoi se numri i të infektuarve është rritur në 153, plot 26 më shumë se një ditë më parë.

Qeveria në Egjipt, ku janë raportuar 19 të vdekur dhe 402 të prekur nga pandemia COVID-19, shpalli ndalimqarkullimin nga ora 19:00 deri në 06:00 me kohën lokale.

Marok është rritur në 5 numri i vdekjeve dhe në 170 ai i infektimeve nga virusi në fjalë.

Tunizia deklaroi të mërkurën se një tjetër burrë 56-vjeçar ka humbur jetën duke e çuar në 4 numrin total të vdekjeve për shkak të COVID-19 në vend. Ky vend që ka 114 raste të konfirmuara deri më tani, ka shtrënguar edhe masat kundër pandemisë duke shpallur regjimin e ndalimqarkullimit dhe karantinës së plotë me efekt në të gjithë territorin tunizian.

Kurse në Liban janë diagnostikuar 29 infektime të reja në 24 orët e fundit dhe numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus ka shkuar në 333.

Sipas një postimi në “Facebook” nga Qendra Kombëtare e Luftës me Sëmundjet në Libi, vendi ka tashmë rastin e parë me COVID-19.

Listës së gjatë të vendeve nën izolim i është bashkuar së fundmi edhe India, e cila ka shpallur izolim gjithëkombëtar për 21 ditë duke nisur nga orët e para të së mërkurës. “Do të ketë ndalim të plotë të daljes nga shtëpitë tuaja”, deklaroi Kryeministri Narendra Modi në një fjalim televiziv.

Mbretëria e Arabisë Saudite vendosi për të mbajtur në karantinë qytetet e Riadit, Mekës dhe Medinës; ndërsa njoftoi organizimin e një “samiti virtual” të jashtëzakonshëm me liderët e shteteve anëtare të G20-s, ku mban presidencën e radhës, në kuadër të luftës me koronavirusin e ri.

Qeveria malajziane vendosi të zgjasë deri më 14 prill “kufizimin e aktiviteteve të përditshme”, praktikë e filluar javën e kaluar për të ngadalësuar hovin e përhapjes së virusit. Rastet e konfirmuara deri më tani në Malajzi janë rritur në 1.796 dhe vdekjet në 17.

Filipine është rritur në 38 numri i viktimave nga pandemia globale dhe në 636 rastet e konfirmuara. Ndërkaq, gueriljet komuniste në vend bënë me dije se do të ulin armët në përgjigje të thirrjes së sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për armëpushim global të paktën deri në kapërcimin e pandemisë COVID-19.

Bangladeshi raportoi 4 vdekje dhe 39 të infektuar nga virusi i ri korona, si dhe pezulloi tërësisht transportin publik tokësor nga data 26 mars deri më 4 prill.

Kurse në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore janë tashmë 2.412 raste të konfirmuara me sëmundjen pandemike në fjalë dhe 64 viktima. Nigeria ka mbyllur të gjithë kufijtë tokësorë të vendit për 4 javë në kuadër të luftës me koronavirusin e ri. Bregu i Fildishtë ka njoftuar të martën fillimin e regjimit të ndalimqarkullimit në vend nga ora 21:00 deri në 05:00 me kohë lokale. Sierra-Leone, edhe pse nuk diagnostikuar ende asnjë rast me COVID-19, shpalli regjimin e gjendjes së jashtëzakonshme për një periudhë 12-mujore, vendimi më drastik nga ndonjë shtet deri më sot në kundër të luftës me koronavirusin e ri. Ndërkaq, rastet e para me këtë sëmundje u regjistruan gjithashtu në Mali dhe Guineja-Bisau.



Lajme të ngjashme