SHBA – Mike Pompeo: Gënjeshtrat e Khameneit rrezikojnë jetën e njerëzve

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, hodhi pretendimin se lideri fetar iranian, Ali Khamenei, po i fsheh botës shumë informacione duke përfshirë gjithashtu numrin e rasteve dhe vdekjeve në pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).

1383895
SHBA – Mike Pompeo: Gënjeshtrat e Khameneit rrezikojnë jetën e njerëzve

Mike Pompeo publikoi të hënën një komunikatë me shkrim të titulluar “Gënjeshtrat e Khameneit rrezikojnë jetën e njerëzve”.

Duke e quajtur COVID-19 “virusi i Vuhanit”, shefi i diplomacisë amerikane theksoi se do të zbulojnë disa nga të vërtetat që lideri suprem iranian preferon t'i fshehë botës.

Ai tha se “Mahan Air”, kompani ajrore private e Iranit, ka realizuar të paktën 55 fluturime në linjën Teheran-Kinë gjatë muajit të kaluar dhe se rastet e para me llojin e ri të virusit korona në të paktën 5 vende janë me burim iranian. Pompeo e akuzoi Iranin për “vënien në rrezik të jetës së miliona njerëzve dhe infektimin e popullit të tij” duke kryer 55 fluturimet në fjalë.

“Regjimi iranian injoroi paralajmërimet e përsëritura të zyrtarëve të tij të shëndetësisë dhe mohoi vdekjen e parë nga koronavirusi (në vend) për të paktën 9 ditë. Irani vazhdon të mashtrojë popullin e tij dhe tërë botën për numrin e rasteve dhe vdekjeve të shkaktuara nga virusi. Fatkeqësisht, shifrat reale janë shumë më të larta sesa ato të deklaruara nga regjimi”, pretendoi ai duke argumentuar se Teherani ka shpenzuar 16 miliardë dollarë për burimet terroriste jashtë shtetit që nga viti 2012 e këtej.

Sipas tij, regjimi në Iran ka vjedhur mbi 1 miliard euro që duheshin shpenzuar në fushën e mjekësisë.

“Gjithashtu regjimi iranian është duke bërë stok maskash, dorezash dhe materialesh të tjera higjienike/sanitare/mjekësore, të cilat janë nevoja urgjente aktualisht, për t'i shitur ato në tregun e zi”, shtoi sekretari amerikan i Shtetit.

Pasi vuri në pah se sanksionet amerikane kundër Iranit nuk përfshijnë artikujt ushqimorë, materialet mjekësore, barnat dhe materialet e tjera të ndihmave humanitare, Pompeo sqaroi se kompanitë iraniane që operojnë në fushën e mjekësisë, janë në gjendje të importojnë komplekse testesh (për COVID-19) pa u përballur me pengesën e sanksioneve që nga muaji janar e në vijim.

“Ne u kemi ofruar mbi 100 milionë dollarë ndihmë mjekësore vendeve të huaja deri më tani, përfshi këtu edhe Iranin. Por Khamenei e refuzoi këtë ofertë, sepse ai punon pa u lodhur për të prodhuar teori konspirative dhe e vendos ideologjinë e tij mbi interesat e popullit iranian”, komentoi Mike Pompeo.



Lajme të ngjashme