Pandemia COVID-19 shtyn botën drejt karantinës, shifra alarmante në Evropë

Koronavirusi i ri (COVID-19), sëmundje që u shfaq për herë parë më 12 dhjetor 2019 në qytetin Wuhan të Kinës, po shtyn hap pas hapi drejt karantinës të gjitha vendet e botës, sidomos ato në Evropë.

1377668
Pandemia COVID-19 shtyn botën drejt karantinës, shifra alarmante në Evropë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi të mërkurën se epidemia e krijuar nga COVID-19, e cila u ka marrë jetën të paktën 4.960 njerëzve dhe ka infektuar mbi 135.000 të tjerë në 117 vende të botës që nga fundi i dhjetorit, mund të konsiderohet një “pandemi”.

Në Itali, ku numri i vdekjeve nga koronavirusi është rritur në 1.016 dhe i të infektuarve në mbi 13.000, Kryeministri Giuseppe Conte njoftoi të enjten ndalimin e të gjitha aktivitetet tregtare me efekt të menjëhershëm në shkallë vendi, me përjashtim të shërbimeve publike, si masë kundër përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.

Kurse në Spanjë, ku janë regjistruar 86 vdekje dhe mbi 3.000 të infektuar, pozitiv në testin e koronavirusit ka rezultuar edhe një tjetër anëtar i qeverisë.

Qeveria spanjolle bëri me dije se pas infektimit me COVID-19 të ministres për Barazinë Gjinore, Irene Montero, i gjithë kabineti iu nënshtrua analizave dhe ministrja e Politikës Territoriale dhe Funksionit Publik, Carolina Darias, rezultoi pozitive.

Franca bëri të ditur se të gjitha shkollat në vend do të mbyllen që nga e hëna, ndërkohë që numri i vdekjeve nga koronavirusi është rritur në 61 dhe i të infektuarve në 2.876.

Varganit të vendeve që i kanë shpallur institucionet arsimore pushim deri në fillim të muajit prill, iu bashkuan gjithashtu Belgjika, Portugalia dhe Luksemburgu.

Sipas të dhënave zyrtare, në Mbretërinë e Bashkuar numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 është rritur në 596 dhe i vdekjeve nga ky virus në 10. Në këtë vend, ku përhapja e llojit të ri të koronavirusit nuk është arritur të mbahet nën kontroll deri më tani, qeveria njoftoi se nga faza e “mbajtjes së virusit nën kontroll” është kaluar në atë të “vonimit të përhapjes së virusit”.

Kryeministri Boris Johnson theksoi se pritet një rritje e mprehtë e numrit të rasteve dhe se vendi po kalon një prej krizave më të këqija historike të shëndetit publik. Ai u kërkoi të gjithë britanikëve që kanë qoftë edhe simptomat më të vogla të ndonjë sëmundjeje, të vetizolohen për të paktën 7 ditë; kurse në rast se anëtari i ndonjë familjeje shfaq shenja klinike të koronavirusit, atëherë kërkoi që nga shtëpia të mos dalin as anëtarët e tjerë të familjes.

Vdekjet nga COVID-19 shkuan në 39 dhe rastet e konfirmuara në 1.504 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC) deklaroi se virusi është përhapur në 46 prej gjithsej 50 shteteve të vendit.

Administrata amerikane njoftoi gjithashtu shtrëngimin e masave kundër përhapjes së mëtejshme të koronavirusit të ri, përfshi këtu mbylljen e Shtëpisë së Bardhë, Kongresit dhe Pentagonit për vizitat e qytetarëve.

Në Kanada, ku numërohen 77 raste të konfirmuara dhe asnjë vdekje momentalisht, bashkëshortja Sophie Trudeau e Kryeministri Justin Trudeau rezultoi pozitive në testin e koronavirusit dhe çifti u vetëvendos në karantinë.

Gjermania regjistroi vdekjen e 6-të, sipas të dhënave të Institutit Robert Koch, i cili bëri me dije gjithashtu se numri zyrtar i të infektuarve është rritur në 2.369.

Rritje e numrit të rasteve të konfirmuara u shënua edhe në Bullgari, ku në 24 orët e fundit 17 qytetarë rezultuan pozitivë në testin e koronavirusit duke e çuar atë në gjithsej 23. Ndërkohë, autoritetet bullgare janë në kërkim të mbi 200 personave që kanë qenë në kontakt me rastet e reja.

Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis, vendi i të cilit ka raportuar 116 raste me COVID-19 dhe asnjë vdekje deri tani, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të vënë në zbatim masat e nevojshme shtesë kundër përhapjes së mëtejshme të virusit.

Pasi vuri në pah se në Çeki nuk do të lejohet hyrja e të huajve nga Gjermania dhe Austria, Babis njoftoi pezullimin e të gjitha procedurave të vizave deri në një lajmërim të dytë. Ai tha gjithashtu se qytetarët çekë jashtë shtetit do të mund të kthehen në vend pas asnjë pengesë, por do të vihen në karantinë për një periudhë 2-javore.



Lajme të ngjashme