Zyrtari i lartë i inteligjencës saudite arratiset nga princi trashëgimtar, strehohet në Kanada

Qeveria kanadeze i ka dhënë strehim një ish-zyrtari të lartë të inteligjencës saudite, i cili konsiderohet një kërcënim ndaj sundimit të princit trashëgimtar, Mohammed bin Salman bin Abdulaziz al-Saud.

1377271
Zyrtari i lartë i inteligjencës saudite arratiset nga princi trashëgimtar, strehohet në Kanada

Sipas një lajmi të “Middle East Eye”, një portal informativ me seli në Britaninë e Madhe, Saad al-Jabri, dikur një këshilltar i lartë besnik i rivalit të princit të kurorës, Mohamed bin Nayef, ish-ministër i Punëve të Brendshme me lidhje të thella me agjencitë e inteligjencës perëndimore, përshkruhet nga disa vëzhgues si sauditi më i kërkuar jashtë Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Al-Jabri u largua nga mbretëria në vitin 2017, pak para se Bin Nayefi të vihej nën arrest shtëpiak dhe të zëvendësohej si princ trashëgimtar nga kushëriri i tij 31-vjeçar, Mohammed bin Salman.

Strehimi i tij në Kanada ngre pyetje të reja në lidhje me një përplasje diplomatike të pashembullt ndërmjet Otavës dhe Riadit në verën e vitit 2018.

Të premten (6 mars), Bin Nayefi ishte në mesin e disa anëtarëve të familjes mbretërore dhe zyrtarëve të arrestuar nga princi i kurorës në atë që besohet të jetë përpjekja e tij e fundit për konsolidimin e pushtetit. Qeveria Saudite nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare për arrestimet.

Burime të cituara nga “Middle East Eye” vlerësuan se ato që e vunë Al-Jabrin në shënjestër të princit trashëgimtar të ri duke e detyruar atë të arratisej në Kanada rreth 3 vjet më parë, ishin besnikëria e tij ndaj Bin Nayefit, njohuritë e tij të thella për dekada të tëra mbi funksionimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme si një prej institucioneve më të fuqishme të mbretërisë saudite, si dhe pasuria e tij personale e konsiderueshme.

Një tjetër burim vuri në pah se Mohammed bin Salmani ka vazhduar ta përndjekë ish-zyrtarin saudit të inteligjencës, Saad al-Jabri, duke i dërguar mesazhe kërcënuese e frikësuese edhe në Kanada.

Shërbimet e inteligjencës kanadeze nuk kanë pranuar të komentojnë mbi këtë lajm të publikuar nga “Middle East Eye”.



Lajme të ngjashme