SHBA-ja, Anglia dhe Gjermania i bëjnë thirrje regjimit të Assadit për të ndalur sulmet ndaj Turqisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe Gjermania i bënë thirrje regjimit sirian në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që t’u japë fund sulmeve ndaj pikave të vrojtimit të Turqisë në Idlib.

1362868
SHBA-ja, Anglia dhe Gjermania i bëjnë thirrje regjimit të Assadit për të ndalur sulmet ndaj Turqisë

Ambasadorja Kelly Craft, përfaqësuese e përhershme e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, deklaroi të martën gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se ndërkohë që fëmijët në Siri po vdesin nga i ftohti, regjimi i Assadit shpall fitore ushtarake me sulmet e mbështetësve të tij: Rusisë, Iranit dhe Hizbullahut.

“Ne si SHBA mbështesim interesat legjitime të aleates sonë në NATO, Turqisë, e cila mban barrën më të madhe në lidhje me ndihmën për refugjatët sirianë; si dhe kuptojmë shqetësimet e Turqisë rreth një fluksi të ri refugjatësh për shkak të luftimeve. Ne i refuzojmë plotësisht deklaratat e autoriteteve ruse, që akuzojnë Turqinë për përshkallëzim të tensionit në veriperëndim të Sirisë. S’kemi as edhe më të voglin dyshim që përgjegjës të kësaj janë regjimi i Assadit dhe Rusia”, tha ajo.

Craft theksoi se Uashingtoni do të vazhdojë koordinimin më Ankaranë në lidhje me përpjekjet diplomatike për rivendosjen e armëpushimit dhe tërheqjen e forcave të regjimit në linjën e armëpushimit të siguruar në Soçi më 2018-n.

Kurse ambasadori Christoph Heusgen, përfaqësues i përhershëm i Gjermanisë në OKB, shprehu shqetësim të thellë për tensionin në rritje përreth pikave turke të vrojtimit në Idlib.

“Ne kërkojmë nga regjimi sirian që të ndalë sulmet kundër forcave turke dhe të ulë tensionin urgjentisht”, deklaroi ai.

Regjimit të Assadit i bëri thirrje për të ndalur agresionin ndaj forcave ushtarake dhe pikave të vrojtimit të Turqisë gjithashtu përfaqësuesja e përhershme e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Karen Pierce.

“Sulmet ndaj Turqisë duhet të ndalen. Turqia bëri përpjekje për një zgjidhje paqësore në Idlib dhe ne jemi të shqetësuar për faktin që përshkallëzimi i tensionit mund të prekë Turqinë, e cila është duke mbajtur aktualisht barrën e 3,5 milionë refugjatëve”, u shpreh ambasadorja Pierce.



Lajme të ngjashme