Peskov: Vazhdojmë kontaktet me Turqinë që tensioni në Idlib të mos përshkallëzohet më shumë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të mërkurën se do t’i vazhdojnë kontaktet e tyre me Turqinë që tensioni në zonën siriane të Idlibit të mos përshkallëzohet edhe më shumë.

1362563
Peskov: Vazhdojmë kontaktet me Turqinë që tensioni në Idlib të mos përshkallëzohet më shumë

Peskovi iu përgjigj interesit të gazetarëve për bisedimet e realizuara në Moskë ndërmjet delegacioneve turke dhe ruse në lidhje me Idlibin.

Duke iu referuar marrëveshjeve për Sirinë të nënshkruara në Soçi ndërmjet Turqisë dhe Rusisë më shumë se një vit më parë, zëdhënësi i Presidencës ruse u shpreh me këto fjalë: “Ne ishim të kënaqur me këto marrëveshje dhe kjo ishte një kënaqësi e ndërsjellë.”

Pasi argumentoi se forcat e regjimit dhe komplekset ushtarake ruse në Siri kanë qenë në shënjestër të sulmeve nga Idlibi, Peskovi bëri me dije se do t’i vazhdojnë kontaktet e tyre me Turqinë që tensioni në Idlib të mos përshkallëzohet edhe më tepër.

Ai tha gjithashtu se ende nuk është planifikuar një bisedë telefonike ndërmjet Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe Kryetarit të Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Sidoqoftë, presidentët janë në kontakt të ngushtë; kështu që një bisedë e tillë mund të organizohet brenda disa orësh”, shtoi zyrtari presidencial rus.

Ndërsa lidhur me deklaratën e lëshuar gjatë mesditës nga Presidenti Erdogan se “operacioni në Idlib është një çështje momenti”, Peskovi bëri këtë vlerësim: “Nëse e kemi fjalën për një operacion kundër grupeve terroriste në Idlib, ky do ishte në përputhje me marrëveshjet e Soçit; sepse neutralizimi i këtyre grupeve terroriste, të cilat kanë sasi serioze armësh dhe municionesh, është përgjegjësi e Turqisë. Por nëse flasim për një operacion kundër qeverisë legjitime në Siri dhe ushtrisë siriane, ky do të ishte skenari më i keq i mundshëm.”



Lajme të ngjashme