Libi – 2 të vrarë në sulmet e milicisë së Haftarit ndaj kryeqytetit Tripoli

Milicët e Haftarit kanë kryer sulm me raketa ndaj vendbanimeve civile në jugperëndim të Tripolit, ku një raketë ka rënë në një kafene.

Libi – 2 të vrarë në sulmet e milicisë së Haftarit ndaj kryeqytetit Tripoli

Në sulmin e milicëve të Haftarit të kryer ndaj kryeqytetit Tripoli janë vrarë 2 dhe u plagosën 12 persona.

Në një komunikatë me shkrim të lëshuar nga qendra e shtypit e operacionit Burkan Al-Gadab e lidhur me Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të Libisë me njohje ndërkombëtare, thuhet se milicët e Haftarit kanë kryer sulm me raketa ndaj vendbanimeve civile në jugperëndim të Tripolit, ku një raketë ka rënë në një kafene.

Si pasojë e këtij sulmi ka humbur jetën 1 dhe u plagosën 9 civilë.

Ndërkaq në sulmin me një tjetër raketë që ra në rajonin Hadba të Tripolit, ka humbur jetën 1 grua dhe u plagosën 3 persona.

Palët në konflikt në Libi kanë rënë dakord me propozimin e Turqisë dhe Rusisë për armëpushim të bërë më 12 janar, por milicët e Haftarit vazhdojnë me shkelje të armëpushimit prej ditës së parë të shpalljes së tij.

Nga ana tjetër fluturimet nga aeroporti Mitiga, që është aeroporti i vetëm civil i Tripolit, janë ndalur për shkak të sulmeve me raketa të milicisë së lidhur me udhëheqësin e forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë Halife Haftar.

Hisham Ebu Shekvat, zëvendësministri i Transportit i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar e njohur ndërkombëtarisht, në një deklaratë me shkrim njoftoi se fluturimet janë ndalur përkohësisht për shkak të sulmeve ndaj aeroportit Mitiga.

Aeroporti Mitiga, i cili ishte mbyllur për 3 muaj më parë, ishte rihapur më 12 dhjetor 2019.

 


Lajme të ngjashme