Stoltenberg: Regjimi i Assadit dhe Rusia të ndalin urgjentisht sulmet në Idlib

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje regjimit të Assadit dhe Rusisë të martën që të ndalin urgjentisht sulmet në Idlib, qytet në veriperëndim të Sirisë.

1357356
Stoltenberg: Regjimi i Assadit dhe Rusia të ndalin urgjentisht sulmet në Idlib

Jens Stoltenberg organizoi një konferencë shtypi përpara Takimit të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s më 12-13 shkurt në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës.

I pyetur nëse pret që Idlibi të jetë pjesë e agjendës së Takimit të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s dhe cili është vlerësimi i tij për sulmet në rritje të regjimit sirian të mbështetur nga Rusia, shefi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior tha se zhvillimet aktuale në Idlib do të jenë pa dyshim një prej çështjeve kryesore në fokusin e ministrave.

Duke nënvizuar shqetësimin e tij të thellë rreth zhvillimeve në Idlib, Stoltenberg tërhoqi vëmendjen se sulmet që kanë në shënjestër civilët, kanë shkaktuar shpërnguljen e qindra-mijëra njerëzve deri më tani.

“Unë i dënoj sulmet në Idlib dhe ftoj regjimin e Assadit dhe Rusinë që t’i ndalin urgjentisht këto sulme”, u shpreh ai duke potencuar se po kryhen gjithashtu bombardime ajrore që marrin në shënjestër civilët pa kurrfarë dallimi.

Pasi theksoi se sulmet në fjalë të mbështetura nga Rusia duhet të përfundojnë menjëherë pa i persekutuar njerëzit më shumë, Stoltenberg u bëri thirrje regjimit të Assadit dhe Rusisë që të respektojnë ligjin ndërkombëtar.



Lajme të ngjashme