Trump publikoi të ashtuquajturin “planin e paqes për Lindjen e Mesme”

Donald Trump deklaroi se Jerusalemi do të konsiderohet kryeqyteti "i pandarë" i Izraelit, dhe se plani është "shansi i fundit" për palestinezët.

Trump publikoi të ashtuquajturin “planin e paqes për Lindjen e Mesme”

Ndërsa njoftoi dje të ashtuquajturin planin e paqes për Lindjen e Mesme, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) Donald Trump deklaroi se Jerusalemi do të konsiderohet kryeqyteti "i pandarë" i Izraelit, dhe se plani është "shansi i fundit" për palestinezët.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin izraelit, Benyamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, Trump publikoi planin e njëanshëm të paqes për Lindjen e Mesme.

Duke vënë në dukje se i ashtuquajturi “plani i paqes” përbëhet prej 80 faqesh, Trump argumentoi se ai përmban pika shumë të vlefshme si për Izraelin ashtu edhe për palën palestineze.

Presidenti amerikan theksoi se plani i tij parasheh një shtet të pavarur për Palestinën me kryeqytet në një zonë në lindje të Jerusalemit dhe mbrojti qëndrimin që nëse marrëveshja zbatohet, palestinezët do të kenë tokë dy herë më shumë sesa sot.

Duke deklaruar se Izraeli është i gatshëm të negociojë kushtet e "shtetit palestinez që do të vendoset në të ardhmen", Trump theksoi se qëllimi i tyre është njohja e shteteve të Izraelit dhe Palestinës si shtetkombe.

Sipas të ashtuquajturit plani i paqes për Lindjen e Mesme, Trump deklaroi se për Palestinë kanë parashikuar një periudhë 4-vjeçare, në mënyrë që të plotësojë kushtet e nevojshme për t'u bërë një shtet i pavarur.

Në këtë kontekst, Trump deklaroi se ata synojnë të realizojnë një plan ekonomik prej 50 miliardë dollarësh për të cilin beson se do të ringjallë ekonominë palestineze.

Nga ana tjetër, Trump deklaroi se statusi i Kompleksit Al-Aksa nuk do të ndryshojë dhe Izraeli do të vazhdojë të garantojë sigurinë e këtij rajoni dhe të sigurojë që myslimanët të kryejnë lutjet e tyre në Xhaminë Al-Aksa.

Trump shtoi se statusi i veçantë i Jordanisë do të mbetet ashtu si deri tani dhe se ky vend do të vazhdojë të bashkëpunojë me Izraelin për këtë çështje.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump, pas takimit, bëri një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter dhe postoi një hartë që tregon kufijtë e shteteve izraelite dhe palestineze të parashikuara në të ashtuquajturin planin e paqes për Lindjen e Mesme.

"Unë do të jem gjithmonë me shtetin e Izraelit dhe popullin hebre. Unë mbështes fuqimisht sigurinë dhe të drejtën për të jetuar në atdheun e tyre. Tani është koha për paqe!", ka shkruar Trump në postimin e tij.

Sipas hartës, e cila pranon statusin e okupimit aktual si "kufij të ligjshëm", 15 vendbanimet të okupuara nga Izraeli u përmendën si territor izraelit.

Në hartë, ku Jerusalemi tregohej si kryeqyteti i Izraelit, territori i shtetit Palestinez, i cili u përcaktua si një rajon në lindje të Jerusalemit, u tregua me shprehjen "shteti i ardhshëm Palestinez".

Ndërkaq edhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dha detaje për të ashtuquajturin planin e paqes për Lindjen e Mesme.

Duke e përshkruar planin si "një arritje të madhe dhe historike për Izraelin", Netanyahu njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën të ashtuquajturin planin e paqes për Lindjen e Mesme do t'i njohin vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor si territor izraelit.

Netanyahu deklaroi gjithashtu se, sipas planit të Trumpit, Izraeli do të vazhdojë të dominojë në Luginën e Jordanit, ndërsa shtoi që sipas këtij plani rreth 6 milionë refugjatë palestinezë nuk do të kenë të drejtën për tu kthyer dhe tha se ky plan do t'i japë kontribute të mëdha paqes së rajonit.

 


Lajme të ngjashme