Bota reagon ndaj pseudoplanit amerikan të paqes për Lindjen e Mesme

Prezantuar të martën mbrëma nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ashtuquajturi plani i paqes për Lindjen e Mesme, i cili do të zhdukë Palestinën, ngjalli reagimin e shumë vendeve.

Bota reagon ndaj pseudoplanit amerikan të paqes për Lindjen e Mesme

Ndër vendet e para që u shpreh kundër këtij plani, që do të shkaktojë copëtimin e Palestinës, ishte Jordania.

Ministria jordaneze e Punëve të Jashtme theksoi se rruga e vetme është zgjidhja me dy shtete, e cila merr për bazë themelimin e një shteti palestinez me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Irani gjithashtu reagoi ndaj planit të prezantuar nga lideri amerikan.

“Tradhtia e shekullit është e destinuar të dështojë”, deklaroi Hesamodin Ashna, këshilltar i Presidentit iranian, Hassan Rouhani, duke e vlerësuar atë si një plan imponues dhe sanksionues.

Kurse senatori demokrat amerikan, Chris Murphy, e cilësoi planin për copëtimin e Palestinës si “pseudoplani i paqes” dhe paralajmëroi se ai do të nxiste një regres dhjetëravjeçar në procesin e paqes.

Reagimi në emër të Rusisë erdhi nga ambasadori Mikhail Bogdanov, përfaqësues special i Presidentit Vladimir Putin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Pasi vuri në pah se Kremlini do ta analizojë mirë këtë plan, Bogdanovi tha se vendimi për pseudoplanin amerikan të paqes nuk u takon autoriteteve të SHBA-së, por palëve në konflikt.

Të ashtuquajturin plani i paqes së Trumpit për Lindjen e Mesme e kritikoi po ashtu ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

“Propozimi i SHBA-së ka shumë pikëpyetje”, u shpreh Maas duke potencuar se paqen e qëndrueshme mund ta sjellë vetëm zgjidhja me dy shtete e pranueshme për të dyja palët.

Një reagim për të ashtuquajturin plani i paqes së Trumpit për Lindjen e Mesme erdhi edhe nga Zyra për Shtyp e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

“Sekretari i përgjithshëm, Antonio Guterres, do të vazhdojë të mbështesë palestinezët dhe izraelitët për sheshimin e problemit mbi bazat e zgjidhjes me dy shtete, që do të jetojnë në paqe përkrah njëri-tjetrit sipas rezolutave të OKB-së, të drejtës ndërkombëtare, marrëveshjeve dypalëshe dhe kufijve të 1967-s. Pozicioni i OKB-së për zgjidhjen me dy shtete është përkufizuar prej vitesh me rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme”, thuhet në një komunikatë nga Zyra për Shtyp e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Ndërsa përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, vuri theksin mbi aspiratën dhe nevojën për një zgjidhje me dy shtete, e cila përmbush kërkesat legjitime të Palestinës dhe Izraelit.

Liga Arabe gjithashtu mori vendim për t’u mbledhur të shtunën në nivel ministror me agjendë të jashtëzakonshme për të diskutuar të ashtuquajturin plani i paqes së Trumpit për Lindjen e Mesme.



Lajme të ngjashme