Pompeo: SHBA-ja e zemëruar nga sulmi i fundit raketor ndaj Ambasadës në Irak

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, deklaroi të hënën se Uashingtoni është i zemëruar për shkak të sulmit të fundit raketor ndaj Ambasadës së SHBA-së në Bagdad të Irakut.

Pompeo: SHBA-ja e zemëruar nga sulmi i fundit raketor ndaj Ambasadës në Irak

Departamenti i Shtetit njoftoi përmes një komunikate të shkruar se sekretari Pompeo dhe Kryeministri irakian, Adil Abdul-Mahdi, kanë biseduar në telefon për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Në komunikatë thuhet se Pompeo ka shprehur zemërimin e tij lidhur me sulmet e vazhdueshme të Iranit kundër objekteve amerikane në Irak, përfshi këtu edhe sulmin e fundit ndaj Ambasadës në Bagdad, ku mbetën të plagosur 3 persona.

Pasi i cilëson sulmet e papranueshme në fjalë si “akte të Iranit, të cilat dobësojnë sovranitetin e Irakut”, komunikata e Departamentit të Shtetit vijon me këto fjalë: “Sekretari Pompeo përshëndet angazhimet e Kryeministrit Abdul-Mahdi për të garantuar sigurinë e personelit dhe objekteve amerikane në vend.”

Komunikata thekson gjithashtu se SHBA-ja beson në të ardhmen e një Iraku sovran e të begatë dhe do të vazhdojë të bëjë çmos në këtë drejtim.

Një sulm raketor goditi të hënën Ambasadën amerikane në Bagdad duke shkaktuar plagosjen e 3 personave. Kryeministri irakian, Adil Abdul-Mahdi, paralajmëroi se sulme të këtilla mund ta shndërrojnë vendin e tij në një zonë grindjeje dhe përsëriti angazhimin për të mbrojtur me përkushtim misionet e huaja dhe përfaqësitë e tyre në Irak.



Lajme të ngjashme