Deri të martën pritet që Trump të shpallë “Marrëveshjen e shekullit”

ShBA mund të publikojë planin e saj të paqes në Lindjen e Mesme përpara vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë, tha të enjten Presidenti Donald Trump.

Deri të martën pritet që Trump të shpallë “Marrëveshjen e shekullit”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump tha se planin e paqes në Lindjen e Mesme, i njohur si “Marrëveshja e shekullit”, do ta bëjë publik para vizitës që do të realizojë të martën në Shtëpinë e Bardhë Kryeministri i Izraelit, Beniamin Netanjahu.

"Diçka para kësaj [vizite]. Ndoshta ne do ta lëshojmë pak para kësaj," u tha Trump gazetarëve para se të zbriste në Florida, duke iu referuar takimit të martën me Netanhahun në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe pse nuk dihen ende detajet e “Marrëveshjes së shekullit”, në shtypin ndërkombëtar mund të gjesh disa informacione për planin e presidentit amerikan Trump, që siç thuhet administrata e tij e ka përgatitur për t’i gjetur një zgjidhje çështjes izraelito-palestineze.

Sipas këtyre lajmeve plani përmban një sërë dispozitash kundër palestinezëve, sidomos lënia e plotë e Jerusalemit në territoret e Izraelit dhe vazhdimi i ekzistencës së shumicës dërrmuese të vendbanimeve të jashtëligjshme çifute në Bregun Perëndimor.

Gjithashtu ky plan nuk përmend aspak të drejtën e rikthimit të rreth 6 milionë refugjatëve palestinezë, të cilët Izraeli i ka dëbuar me forcë nga tokat e tyre.

Me përjashtim të disa ndihmave ekonomike, plani në fjalë, i cilësuar si “Shuplaka e shekullit” nga Kryetari i Shtetit të Palestinës, Mahmoud Abbas, nuk përmban asgjë në favor të popullit palestinez.

Detajet e planit nuk janë bërë publike deri më tani për shkak të krizës së koalicionit që vazhdon për më shumë se një vit në Izrael.

 


Lajme të ngjashme