Kanadaja e gatshme të tërheqë ushtarët e saj nga Iraku

Kanadaja do të tërheqë kontingjentin e saj ushtarak nga Iraku kur vendimi për tërheqjen e njësive të huaja nga ky vend të marrë formë zyrtare.

1343390
Kanadaja e gatshme të tërheqë ushtarët e saj nga Iraku

“Nëse Parlamenti irakian kërkon zyrtarisht që trupat e huaja të largohen nga vendi, atëherë Kanadaja do t’i tërheqë forcat e saj”, deklaroi të shtunën ministri kanadez i Mbrojtjes Kombëtare, Harjit Sajjan.

“Në fund të fundit ne jemi këtu me kërkesën e qeverisë së Irakut dhe në fund të fundit do të jetë vendimi i tyre”, theksoi ai nga Lindja e Mesme, ku po viziton forcat kanadeze në kuadër të NATO-s.

“Ashtu si ne kemi një proces parlamentar që e ndjekim, edhe ata kanë procesin e tyre parlamentar. Ne jemi atje me kërkesë të qeverisë irakiane. Nëse ata do ta ndryshojnë këtë, ne duhet ta respektojmë”, shtoi ministri Sajjan.

Kanadaja ka rreth 500 trupa në Irak të lidhura me dy misione të ndara.

Trupat kanadeze, pjesë e misionit të NATO-s për të trajnuar forcat e sigurisë dhe ato të armatosura të Irakut, u angazhuan gjithashtu në misionin e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër organizatës terroriste DAESH.

Gjenerali Jonathan Vance, komandant i lartë ushtarak i Kanadasë, njoftoi pezullimin e këtyre dy misioneve në fillim të këtij muaji, pasi sulmi ajror amerikan që vrau gjeneralin e lartë iranian, Qasem Soleimani, në afërsi të aeroportit të Bagdadit, rriti rrezikun për trupat e huaja në rajon.

Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare të Kanadasë tha të enjten se dy misionet në fjalë mbeten në pritje, edhe pse ato kanë marrë pjesë në disa aksione mbështetëse.

Pas vrasjes së Soleimanit në fillim të këtij muaji, Parlamenti i Irakut vendosi me shumicë votash gjatë një seance të jashtëzakonshme për të nxjerrë jashtë vendit forcat ushtarake të SHBA-së dhe shteteve të tjera të huaja. Parlamenti gjithashtu autorizoi Bagdadin zyrtar për implementimin e vendimit në fjalë.



Lajme të ngjashme