Gjermani – Fillon në Berlin takimi i nivelit të lartë për Libinë

Udhëheqësit botërorë u mblodhën të dielën në Berlin për të diskutuar mënyrat e arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm dhe një zgjidhjeje politike për konfliktin e gjatë në Libi.

Gjermani – Fillon në Berlin takimi i nivelit të lartë për Libinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bashkëkryetarë të Konferencës së Berlinit për Libinë, përshëndetën mysafirët e tyre në hyrjen e Kancelarisë Federale.

Liderët pjesëmarrës në këtë konferencë përfshijnë Presidentin e Turqisë – Recep Tayyip Erdogan, Presidentin e Rusisë – Vladimir Putin, Presidentin e Francës – Emmanuel Macron, Kryeministrin e Britanisë së Madhe – Boris Johnson dhe Kryeministrin e Italisë – Giuseppe Conte.

Përpara konferencës, Erdogani pati një takim dypalësh me Kryeministrin e njohur ndërkombëtarisht të Libisë, Fayez al-Sarraj, i cili i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për të ndaluar ofensivën ushtarake të gjeneralit puçist, Khalifa Haftar.

Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-liderit libian, Muammar Gaddafi, në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri: një në lindje të Libisë, e cila mbështetet kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe; si dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në kryeqytetin Tripoli të vendit, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Më 12 janar, palët ndërluftuese në konfliktin libian njoftuan një armëpushim si përgjigje ndaj thirrjes së presidentëve të Turqisë dhe Rusisë.

Megjithatë bisedimet për një armëpushim të përhershëm morën fund pa marrëveshje të hënën, pasi Khalifa Haftar, kreu i forcave të jashtëligjshme në lindje të Libisë, u largua pa e nënshkruar tekstin e hartuar gjatë negociatave në Moskë.



Lajme të ngjashme