SHBA – Trump: Soleimani kishte një të kaluar të tmerrshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi të hënën vonë se gjenerali i vrarë iranian, Qasem Soleimani, kishte një të “kaluar të tmerrshme” dhe me rëndësi është nëse përbënte ose jo një kërcënim të afërt për SHBA-në.

SHBA – Trump: Soleimani kishte një të kaluar të tmerrshme

“Demokratët dhe lajmet e rreme po përpiqen ta shfaqin terroristin Soleimani si një njeri të mrekullueshëm vetëm sepse unë bëra atë që duhet të ishte bërë prej 20 vitesh. Gjithçka që unë bëj, qoftë në aspektin ekonomik, ushtarak apo ndonjë gjë tjetër, përbuzet nga e majta radikale, demokratet asgjëbërës”, shkroi Trump në rrjetin social “Twitter”, një reagim ndaj demokratëve që vënë në pyetje sulmin ajror amerikan kundër Soleimanit dhe kohën e ekzekutimit të tij.

Nga ana tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë vuri në pah se Qasem Soleimani ishte një kërcënim urgjent për SHBA-në.

“Media e lajmeve të rreme dhe partnerët e saj demokratë po punojnë fort për të përcaktuar nëse sulmi i ardhshëm nga terroristi Soleimani ishte «i menjëhershëm» dhe nëse ekipi im ishte dakord apo jo. Përgjigja për të dyja është një PO e fortë, por s’ka rëndësi për shkak të së kaluarës së tij të tmerrshme”, vlerësoi presidenti amerikan.

Ai u ndal edhe mbi faktin që protestuesit antiqeveritarë në Iran nuk pranuan të shkelnin mbi flamurin amerikan.

“Ua! Protestuesit e mrekullueshëm iranianë nuk pranuan të shkelin ose të denigrojnë në çfarëdo mënyre flamurin tonë të madh amerikan. Ai u vu në rrugë që ata ta shkelnin, por në vend të kësaj ata kaluan anash. Progres i madh”, u shpreh Trump në “Twitter”.



Lajme të ngjashme