Ish-ambasadori iranian, Soleimani: As Uashingtoni dhe as Teherani nuk duan luftë

Ish-ambasadori Afshar Soleimani, një prej diplomatëve me përvojë të Iranit, deklaroi të martën se as Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as vendi i tij nuk duan luftë, sepse problemet mund të zgjidhen me rrugë diplomatike.

Ish-ambasadori iranian, Soleimani: As Uashingtoni dhe as Teherani nuk duan luftë

Në një prononcim për Agjencinë Anadolli (AA), Soleimani tha se fjalimi më 8 janar i Presidentit të SHBA-së, Donald  Trump, pas sulmeve raketore iraniane mbi bazat amerikane në Irak, është tregues i asaj që asnjë nga këto dy vende nuk dëshiron luftë.

Sipas tij, nëse palët ndjekin rrugët diplomatike, klima e luftës do të largohet dhe pikërisht ky është edhe vullneti i popullit iranian.

Ai theksoi se çështja kryesore për Iranin është ajo në lidhje me sanksionet ekonomike.

“Nëse SHBA-ja lehtëson sanksionet dhe i jep shans tregtisë së naftës e livrimit të parasë së saj, mund të lindë mundësia për negociata”, u shpreh ish-ambasadori i Iranit në Baku.

Duke theksuar se populli iranian kërkon rregullimin e situatës dhe ecurisë ekonomike të vendit, Soleimani tha se SHBA-ja s’mund ta dëmtojë më shumë Iranin me sanksione të reja, edhe pse vijon ende efekti i masave detyruese të mëparshme.

Sa u përket deklaratave dhe premtimeve të autoriteteve iraniane për “hakmarrje”, diplomati me përvojë vuri në pah se kjo nuk do të thotë se ato do të jetësohen.

“Unë nuk mendoj se Irani do të kryejë një sulm tjetër. Ai tregoi që ka mundësi dhe kapacitet për ta bërë këtë gjë. Sidoqoftë, nuk do të ndërmarrë një sulm të ri”, përfundoi Afshar Soleimani.



Lajme të ngjashme